BotaLajme

Varhelyi: Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim, duam konstruktivitet në dialog

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në prezantimin e pakos së raporteve të progresit për shtetet e rajonit, ka përsëritur që Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe se Komisioni Evropian kërkon më shumë konstruktivitet në dialog.

Në fjalimin e tij të mërkurën, Varhelyi ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje edhe në forcim të demokracisë e sundim të ligjit dhe në luftën ndaj korrupsionit.

“Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën drejt BE-së. Ne e pranojmë se Kosova gjithashtu ka bërë përpjekje për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe ka intensifikuar luftën e saj kundër korrupsionit. Është bërë punë për të hedhur themelet për një progres të qëndrueshëm në disa fusha, duke përfshirë tranzicionin e gjelbër, energjinë dhe inovacionin. Gjatë vitit të ardhshëm ne do të dëshironim të shohim një realizim më të shpejtë dhe më efektiv të agjendës së reformës së BE-së të Kosovës. Sa i përket liberalizimit të vizave, komisioni qëndron prapa vlerësimit të korrikut të vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet. Propozimi është ende në pritje në këshill dhe ne mbështesim diskutimet e ripërtërira me një përditësim teknik të këtij vlerësimi. Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, ne kemi nevojë që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive, ashtu siç ne kemi nevojë që Beogradi të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Varhelyi.

Varhelyi për reformën në drejtësi në Kosovë: Duhet bërë sipas opinionit të Venecias

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se ka rast serioz për forcim të integritetit, llogaridhënies dhe rritjes së efikasitetit në gjyqësor në Kosovë.

Ai ka thënë se duhet bërë reforma në drejtësi në Kosovë dhe pavarësisht formës, ato duhet bërë sipas opinionit të Komisionit të Venecias.

Varhelyi i është përgjigjur pyetjes së bërë nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Sa i përket reformave të Kosovës e ‘vettingut’. Po punojmë ngushtë me Qeverinë, e mendojmë se ka rast serioz për forcim të integritetit, llogaridhënies e efikasitetit të gjyqësorit. Mendojmë se duhet inkurajuar Qeveria që të implementojë reforma në këtë rrugë. Pavarësisht nëse kjo bëhet me vetting apo çfarëdo forme tjetër, duhet bërë plotësisht sipas opinionit të Venecias. Ne do të përkrahim çdo reformë që është në linjë me rekomandimet e Venecias”, ka thënë Varhelyi.

Sa i përket pyetjes së Von Cramonit për çështjen e Serbisë, e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Varhelyi ka thënë se pret që shtetet kandidate të rreshtohen me politikën e jashtme të BE-së.

“Është e qartë se çdo shtet kandidat, kur vendos të bashkohet në BE e bën me zgjedhje të lirë, angazhohet me ne jo vetëm si partnerë, por si aleat i ardhshëm. Mendoj se ato janë të vëmendshme, se kur janë aleatë së pari do të kërkohet ndihmë. Po e bëjmë këtë me gjithë shtetet kandidate. Shpresoj që shtetet kandidate të na konsiderojnë aleatë. Mesazhi i qartë është se kemi nevojë për ju tash, e duhet të jeni në anën tonë”, ka thënë Varhelyi.

© KOHA

Show More

Related Articles

Back to top button