LajmeRajon

Vazhdon gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, do të vazhdojë këtë të hënë (11 shtator).

Procesi gjyqësor pritet të nis në ora 09:30, ndërsa seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën e të enjten (12, 13 dhe 14 shtator). Seancat e fundit gjyqësore për këtë muaj priten të mbahen më 25, 26 dhe 27 shtator, duke e çuar në 11 numrin e seancave gjyqësore gjatë këtij muaji.

Nga 312 dëshmitarë në total, deri më tash janë dëgjuar 22 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënën pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të 23-të.

Dëshmitarët janë dëgjuar në seanca private apo me zë të deformuar, përveç dëshmisë së ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, dëshmisë së Francis Ladwidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës së Britanisë së Madhe që gjatë luftës kishte shërbyer në Kosovë dhe dëshmisë së Dragica Bozhaniç.

Gjithashtu edhe hulumtuesi i lartë në organizatën ndërkombëtare “Human Rights Watch”, Fred Abrahams, ka dëshmuar në seancë të hapur për publikun për krimet e pretenduara të luftës nga pjesëtarët e UÇK-së, gjë që ka shkaktuar një valë të reagimeve në lidhje me kredibilitetin e Gjykatës Speciale.

Abrahams e kishte pranuar se informatat e tij për krimet e pretenduara kanë ardhur nga burime të shtetit serb dhe nuk janë hetuar e as verifikuar në mënyrë të pavarur. Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka gjetur shumë mangësi në raportet e shkruara nga dëshmitari i 22-të kundër krerëve të UÇK-së.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u barazvlerësua me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Show More

Related Articles

Back to top button