LajmeRajon

Vela i kundërpërgjigjet Petkoviqit: Petre, mos leh!

Zyrtarë të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, vazhdojnë përplasjen mes tyre nga distanca, nëpërmjet deklarimeve të ndryshme.

Së fundi është Blerim Vela, shefi i Kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ai që ia ka numëruar Petar Petkoviqit, kryenegociatorit serb, shkeljet që Serbia ua ka bërë ndër vite marrëveshjeve të Brukselit.

Kjo pasi të hënën, presidentja Osmani në Twitter shkroi se për 24 orë Serbia i ka bërë dy shkelje të marrëveshjeve të fundit, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe duke lobuar e votuar kundër pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Pas kësaj deklarate, reagoi Petkoviq. “Kur Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit, me gjasë i referohet Asociacionit të komunave serbe”, deklaroi ai.

Sipas tij, obligimet e Kosovës në këtë aspekt përshkruhen në 6 paragrafët e parë të marrëveshjes dhe deri sot, 10 vjet më pas, rezultati është zero.

“Guximi i Osmanit që të predikojë për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit është absurd, por absurditeti është fjala më e mirë për ta përshkruar filozofinë politike në Prishtinë. Zgjedhjet e djeshme e konfirmuan këtë”, ka shkruar më tej Petkoviq në mbrëmjen e së hënës.

Ndërkohë, në kundërgjigjen e tij, Vela i ka thënë Petkoviqit se me votën kundër të Serbisë ndaj aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia ka shkelur nenin 4 të Marrëveshjes së Brukselit dhe se duhet të ndëshkohet.

“Petre, mos leh!”, shkruan Vela. “Serbia ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë: Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Sipas Velës, vota e Serbisë kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndeshkohet.

Përndryshe, Komiteti i Ministrave të KiE, votoi të hënën që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm evropian, t’i kalojë Asamblesë së Përgjithshme./rtk

Show More

Related Articles

Back to top button