LajmeRajon

Vetëvrasja e Bedrie Lokës, Manja: Duhet të rishikojmë ligjet, zero tolerancë për krimin online

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të vetëvrasjes së Bedrie Lokës, nën e 4 fëmije, ku shkak dyshohet të jetë bërë gjendja e rënduar psikologjike si pasojë e bullizimit në rrjete sociale.

Në një postim në Facebook, Manja shkruan se nevojitet një rishikim i ligjeve për dënimin e krimeve online.

“Ndihem i tronditur nga humbja e një jete nëne për shkak të sjelljeve të dobëta në rrjetet sociale. Si shoqëri, duhet të reagojmë fort kundër krimit dhe bullizmit online, duke filluar nga fëmijët dhe familjet tona për të mos pritur viktimën e radhës pas Bedrie Lokës, si shtet do të na duhet të rishikojmë ligjet tona dhe të mos tolerojmë zbatimin e tyre, për të ndëshkuar ashpër këtë formë të krimit online që po vret përditë pak e nga pak pa u ndëshkuar askush. Është koha për t’u bashkuar, për t’u përballur me sfidat dhe të kërkojmë drejtësi. Zero tolerancë për sjelljet e dëmshme në botën digjitale! Bashkë për një shoqëri të sigurt dhe të drejtë!”, shkruan Manja.

Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve i dha fund jetës tre ditë më parë në banesën e saj, duke u vetëhelmuar. Shkak mendohet të ketë qenë rëndesa psikologjike nga bullizmi që i bëhej prej një adrese false në TikTok, e cila përdorte foton e saj.

Reagimet për ngjarjen kanë qenë të shumta, ku Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka shprehur nevojën për eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në Shqipëri. Ndërsa kryeparlamentarja Lindita Nikolla kërkoi të ashpërsohet legjislacioni për krimet kibernetike.

Familja Loka, me origjinë nga Dibra, jeton prej disa vitesh në Vadardhë të Sukthit në një banesë 2-katëshe, që 41-vjeçarja e ndante me tre djemtë e saj, ndërsa vajza ishte e martua dhe bashkëshorti punonte në Greqi.

Show More

Related Articles

Back to top button