LajmeMaqedoni

VIDEO/Lloga për VOA: Jemi të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por ky është kushti

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar Lloga thotë se ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, do të miratohen përpara fundit të këtij viti.

Opozita maqedonase është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese për shkak të futjes në Preambulë të pakicës bullgare dhe pa votat e VMRO-DPMNE-së nuk arrihet 2 e 3-ta e nevojshme për t’u miratuar në parlament, por ministri Lloga tha se po punohet për votimin e tyre.

“Ka komunikime me partitë politike dhe gjithashtu dhe komunikime me deputetë të veçantë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të votuar dhe ne besojmë që ky proces do të përmbyllet me miratimin para vitit të ri”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ministri Lloga tha gjithashtu se ishte kundër ndryshimeve në Kodin Penal, në të cilat parashikohet, mes të tjerash, ulja e dënimit për ata funksionarë shtetërorë të cilët janë përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike. Ai shpjegoi edhe arsyet se përse kishte propozuar ligjin për amnistinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Lloga, propozimet e ministrisë tuaj për ndryshimet në Kodin Penal kanë nxitur mjaft debate dhe mjaft kritika, kjo për shkak se mes të tjerash parashikohet edhe ulja e dënimit për ata funksionarë shtetërorë të cilët janë përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike. Kritikët thonë se kjo është një mënyrë që t’i hapet rruga ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për t’u kthyer në vend nga arratia. Cila është përgjigja juaj për këto kritika?

Krenar Lloga: Atëherë në prononcime të ndryshme për mediat unë kam treguar të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur. Unë nuk kam qenë i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal janë gjëja e duhur, sidomos me lartësinë e dënimeve për veprën e ashtuquajtur keqpërdorim i detyrës zyrtare, por edhe veprave të tjera të cilat janë parashikuar. Dhe në këtë rast ka qenë propozimi i zëvendësministres së Drejtësisë, e cila ka marrë miratimin e qeverisë dhe është dorëzuar në Kuvend dhe deputetët i kanë dhënë mbështetje këtyre akteve ligjore. Ka qenë një kërkesë e kahershme e opozitës maqedonase, të cilët po aktrojnë sot se janë kundër asaj që ka ndodhur. Në fakt, kjo nuk i hap rrugën zotit Nikolla Gruevski. Një nen nga ky ligj ka qenë një prej neneve me të cilët zoti Gruevski ka disiplinuar funksionarët e vet duke qenë aq i gjerë në përmbajtje dhe e ka përdorur më shumë atë si gjah politik. Dhe në fakt këto ndryshime ligjore në këtë aspekt e kanë sqaruar këtë nen, por pjesa tjetër me lartësinë e dënimeve ka qenë gjë për të cilën edhe unë nuk kam qenë dakord dhe është gjë që është shprehur edhe nga ana ime, por edhe nga ana e subjektit tim politik, të cilët nuk i kanë përkrahur këto ndryshime të Kodit Penal. Për t’i dhënë përgjigje meritore të gjithë kësaj, javën që pason unë do të jem bashkë me grupin e punës për të prezantuar Kodin e ri Penal në vend, i cili do të parashikojë shumë vepra të tjera penale lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, por edhe vepra penale të cilat do të precizohen për keqpërdorime të tjera të mundshme, qoftë në aspektin e funksionimit të shtetit të së drejtës, por edhe vepra kriminale që lidhen edhe me teknologjinë informative, cybercrime, dhe gjëra të tjera të ngjashme.

Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër, ministria juaj ka përgatitur edhe një projektligj për amnisti të të burgosurve, e cila gjithashtu është shoqëruar me kritika. Çfarë e nxiti këtë amnisti dhe kush pritet të jenë përfituesit e saj?

Krenar Lloga: Është një paradoks i madh që lidhet Kodi Penal me amnistinë, e cila tani është përgatitur dhe është dorëzuar edhe në Kuvend. Amnistia është ligji i njëjtë i cili është miratuar nga ana e kuvendit të Maqedonisë së Veriut në vitin 2018. Kanë qenë të gjitha partitë politike sot që po bëjnë avokatin e djallit. Kanë qenë propozues të këtij ligji. Unë që nga fillimi i mandatit kam theksuar që ne duhet të bëjmë mundësinë e parë që të gjejmë zgjidhje për këta të burgosur, sepse Maqedonia në të gjithë raportet e Bashkimit Evropian dhe të Departamentit të Shtetit, por edhe nga CPT-ja, korpusi që merret me parandalimin e torturës, është nga burgjet, sidomos ai i Idrizovës, një nga burgjet më të këqija në vend. Në fakt ne kemi ripërsëritur të njëjtin ligj të vitit 2018, i cili ka kaluar në Kuvend dhe parasheh amnisti për veprat e lehta penale. Por me këtë janë tërhequr nga ai ligj edhe veprat të cilat në vitin 2018 janë amnistuar, siç është thënë, edhe veprat që kanë qenë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Në fakt paradoksi është sepse partia opozitare, e cila ka qenë e njoftuar në kohë dhe ka dhënë dakordësinë për të gjitha këto zgjidhje ligjore, tani po bën atë që nuk duhet të bëjë, duke thënë që do të kemi neve njerëz të kriminalizuar në rrugë. Por ajo që ndodh vërtet në burg, unë kam qenë në një vizitë zyrtare në burg edhe me pamje me zë dhe figurë kam treguar se çka ndodh në realitet në burgun e Idrizovës.

Në Maqedoninë e Veriut ndodh edhe një paradoks tjetër. Janë edhe 2800 persona të tjerë të cilët kanë marrë aktin për të shkuar në burg të cilët presin për t’u futur në burg dhe refreni se do dalin të burgosur nga burgu si krimenelë në rrugë nuk është e vërtetë sepse ne kemi 2800 kriminelë të cilët janë në rrugë dhe presin për të hyrë në burg për të kryer aktin e heqjes së lirisë për atë periudhë kohore të caktuar.

Derisa efekti i burgut nuk është vetëm heqja e lirisë, por edhe pjesa që ata duhet ta kryejnë siç është risocializimi. Ne kemi shumë njerëz sot të cilët nga pakujdesia apo veprime të pamatura futen në burg si njerëz normalë dhe kthehen në familje si njerëz të krimit të organizuar, apo njerëz me kriminalitet shumë të lartë.

Show More

Related Articles

Back to top button