LajmeMaqedoni

VMRO-DPMNE mbështet Llogën për shpërbërje të Këshillit: “Dorëheqje të Këshillit Gjyqësor, por edhe të Qeverisë”

VMRO-DPMNE e mbështet idenë e ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, për shpërbërje të tërësishme të Këshillit Gjyqësor për shkak të disa skandaleve në këtë organ gjyqësor muajve të fundit. Nga partia opozitare thonë se për vite me radhë kanë alarmuar për partizim të gjyqësorit, ndërsa shtojnë se pas cirkut të krijuar në Këshillin Gjyqësor, grupi parlamentar i VMRO-DPMN, që në fillim të muajit ka kërkuar që në Kuvend të diskutohet për situatën në këtë trup gjyqësor por deri tash assesi nuk është hapur kjo pikë.

 “Theksuam se vendosja e aktivistëve dhe zyrtarëve partiak në krye të Këshillit Gjyqësor është një praktikë që do ta godasë qeverinë në kokë. Na injoruan, sepse me sa duket plani i tyre ishte të partizonin plotësisht aparatin e drejtësisë. Tani, pasi edhe partnerët tanë ndërkombëtar alarmuan për situatën në gjyqësor, qeveria nuk di si të dalë nga situata në të cilën u fut”, tha Dafina Stojanoska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Deputetja Dafina Stojanoska për situatën e krijuar në organin më të lartë gjyqësor kërkon përgjegjësi edhe nga Qeveria.

 “Mendoj se zgjidhja me ideale për një sistem të tillë të metastazuar është dorëheqje e tërësishme e Qeverisë”, Dafina Stojanoska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Deputeti i LSDM-së Mile Talevski tha se janë të gatshëm të mbështesin çdo ide që është në të mirën e qytetarëve, por kjo pasi që një temë e tillë të jetë diskutuar në shtëpinë ligjvënëse dhe të ketë dialog mes të gjitha partive në kuvend.

 “E dëgjova deklaratën e ministrit dhe deklarata e tij ishte që të gjitha partitë politike duhet të gjejnë konsensus në Kuvend nëpërmjet dialogut dhe të zgjidhet ky problem. Nëse ka dialog në mes gjithë partive politike, ne jemi të gatshëm të diskutojmë tekstualisht për gjithë atë që e ka deklaruar ministri i Drejtësisë”, tha Mile Taleski, deputet LSDM.

Këshilli Gjyqësor dje nuk e komentoi deklaratën e Llogës, duke thënë se e drejtë e ministrit është që të propozojë ndryshime ligjore. Pritet që javën e ardhshme Këshilli të mbajë seancë ku dhe pritet të ketë edhe zhvillime të reja. Deri tani nga Këshilli Gjyqësor për shkak të këtyre skandaleve, dorëheqje kanë dhënë gjykatësit Zoran Gerasimovski dhe Mirjana Radevska Stefkova. Kriza në këtë organ filloi që me shkarkimin e kundërligjshëm të tashmë ish-kryetares Vesna Dameva, kurse Këshilli refuzon që tia dorëzojë ministrit Lloga  procesverbalin e asaj seance.

Show More

Related Articles

Back to top button