LajmeMaqedoni

Xhaferi: Seanca për ndryshimet kushtetuese do të vazhdojë kur të ketë kushte

Mundësia që njëzet deputetë të kërkojnë mbajtjen e seancës së re nuk është detyrim që kryetari i Kuvendit të thërrasë seancë, tha Talat Xhaferi në fillim të seancës së re të 125-të, duke iu përgjigjur kërkesës së deputetes Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE për mbajtjen e vazhdimit të seancës së 123-të për votimin e ndryshimeve kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Në fillim të seancës së 125-të të Kuvendit, kryetari u përgjigj se baza e kërkesës ishte joadekuate.

“Për sa i përket kërkesës, mendoj se baza nuk është e përshtatshme që ju të kërkoni thirrjen e seancës së ndërprerë. Seancë të re është e padiskutueshme, mund ta kërkosh, por është sërish mundësi për të kërkuar, por jo detyrim për të thirrur seancë. Juristët e dinë këtë. Thirrjen e seancës, ndër të tjera, mund të kërkojnë 20 deputetë. Kryetari mund të thërrasë seancë me kërkesë të 20 deputetëve. Mund, që do të thotë se nuk duhet. Pra, le të jemi të qartë me këtë. Unë as nuk kam shumëzuar e as nuk kam ndarë, e kush e shumëzon veten është problem i tij”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se vazhdimi i seancës së ndërprerë është në kompetencë ekskluzive të kryetarit të Kuvendit.

“Paragrafi 5 i nenit 81 është i qartë, preciz dhe vendimtar në kuptimin që seanca e ndërprerë është në kompetencë ekskluzive të Kryetarit të Kuvendit, kur ai vazhdon me atë seancë. Në fakt, si shumë seanca të tjera, rrinë dhe presin vazhdimin për disa gjëra që ju dhe opinioni tashmë i dini, e kjo për shkak të mosfunksionimit të komisioneve përkatëse”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se seanca e 123-të do të vazhdojë kur të ketë kushte për të vazhduar.

Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE tha se seanca e 18 gushtit është mbyllur pa asnjë arsyetim dhe ka kërkuar nga Xhaferi, duke iu referuar nenit 67 paragrafit 2 të Rregullores së punës dhe sipas nënshkrimeve të njëzet deputetëve të kësaj partie, të thirret vazhdimi i kësaj seance.

“Dhe së paku një re mbi qytetarët e Maqedonisë të zgjidhet dilema se kush është për apo kundër amendamenteve kushtetuese”, tha Stojanovska.

Sipas saj, problemet duhet të zgjidhen, dhe në Kuvend duhet të flitet për zhvillimet në Klinikën e Onkologjisë. Ajo theksoi se pikërisht para seancës, e cila u vonua që në fillim, ligjet u miratuan me procedurë të shkurtuar, duke përfshirë ndryshimet në Kodin Penal.

Sipas deputetit Dimitar Apasiev, ndryshimet në Kushtetutë bëhen me dispozita të veçanta dhe afati i rregullores nuk varet nga vullneti i askujt.

Kryetari i Kuvendit e ndërpreu seancën për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht me informimin se nuk ka më të regjistruar për diskutim dhe vazhdimi, siç tha ai, do të caktohet në mënyrë shtesë.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Show More

Related Articles

Back to top button