LajmeMaqedoni

Zendeli akuzon komunën e Tetovës: Rrogat u vonohen me muaj punëtorëve të NPK-së, e jo “zyraxhinjve” komunalë

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetovë” kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për shkak të mos pagesës së pagave për muajt tetor dhe nëntor.

“Për shkak të kësaj nuk ka sigurime shëndetësore. Nuk mund të shkojmë te mjeku, gjysma e punëtorëve janë të sëmurë, kur shkojnë te mjeku nuk mund të marrin ilaçe. Do të vazhdojmë të protestojmë derisa të na paguhen pagat”, thonë punëtorët.

Ka reaguar edhe Mislim Zendeli nga Aleanca për Shqiptarët (ASH). Ai në reagimin e tij thotë se të punësuarit kanë ngelur pa paga, derisa zyrtarëve të Komunës të njëjtat nuk u vonohen as edhe një ditë.

“Punëtorët e mirëfilltë përsëri ngelin pa pagat e mjerueshme, ndërkohë që atyre që sillen vërdallë nëpër zyra, asnjë ditë nuk u vonohen pagat e majme! Si ishte ajo thënia: Nuk mbulohet dielli me shoshë”, thotë në reagimin e tij Zendeli.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar se honorarët e pa paguara për ata në kontratë në vepër, do t’i paguajë Komuna. Kjo do të bëhet në përputhje me vendimin nga seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të nëntorit, me 400 mijë euro nga buxheti i komunës që të paguhen honorarët e mbetura.

“Për punëtorët me punë të rregullt gjegjësisht NPK “Tetova” duhet të gjejë mënyrën për të paguar pagat e ngelura”, ka thënë Kasami. (Indeks.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button