LajmeRajon

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi – fokusi në rundin e dytë

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë përballja e parë ndërmjet forcave në nivel shtetëror, pas zgjedhjeve të mbajtura në gusht të vitit 2020. Asokohe, subjektet politike të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit e humbën pushtetin pas tri dekadash, ndërkaq shumica e ngushtë parlamentare u formua nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja URA.

Gjatë periudhës së kaluar, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare ndryshoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale, duke thelluar edhe më tej ndarjet në skenën politike.

Fakti që rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është pothuajse i sigurt, tregohet nga balanca e forcave në zgjedhjet e tetorit të vitit 2022 në Podgoricë, ku jeton një e treta e qytetarëve malazezë. Asnjëra nga katër partitë më të forta, të cilat propozuan liderët e tyre për garën presidenciale, nuk fitoi as 40 për qind të votave.

Për të fituar në rundin e parë, kandidatët duhet të fitojnë më shumë se 50 për qind të votave të votuesve.

Për shkak të këtij raporti të forcave, spekulohet se asnjë kandidat për president nuk do të fitojë vota të mjaftueshme për të fituar në rundin e parë zgjedhor më 19 mars dhe është e sigurt se do të shkohet në rundin e dytë.

Në qoftë se ndodh kjo, ligji parashikon që për pesëmbëdhjetë ditë, më 2 prill, në rundin e dytë, të konkurrojnë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në rundin e parë.

Nuk ka dyshim se për presidentin e Malit të Zi do të vendoset në rrethin e dytë zgjedhor, thekson për Radion Evropa e Lirë, Millosh Beshiq, metodolog dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Politike.

Ai konsideron se fituesi i zgjedhjeve do të vendoset në rundin e dytë.

“Nuk ka dyshim se Gjukanoviq do të jetë në rundin e dytë. Ajo që nuk e dimë është se kush do të jetë kundërshtari i tij në rundin e dytë”, thotë ai.

Në garën zgjedhore janë shtatë kandidatë për president.

Kush janë kandidatët?

Forcat opozitare udhëhiqen nga presidenti aktual i shtetit dhe i DPS-së, Millo Gjukanoviq, si një kandidat pro-evropian që kaloi 32 vjet në pushtet, me një sërë skandalesh rreth llogarive të tij personale, kredive, kompanive jashtë vendit dhe financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore të DPS-së.

Deputetja Draginja Vuksanoviq – Stankoviq është kandidate e Partisë Socialdemokrate në opozitë, e cila është ideologjikisht e afërt me DPS-në e Gjukanoviqit, ka tre deputetë dhe një trashëgimi të vlerave euroatlantike.

Vuksanoviq – Stankoviq fitoi 8.3 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Nga ana tjetër, partitë e shumicës parlamentare propozuan tre liderë të partive, të cilët kanë marrëdhënie të mira me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Andrija Mandiq është kandidati i aleancës më të madhe të shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-serb, i cili prej vitesh angazhohet për tërheqjen e vendit nga NATO, tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat Mali i Zi i vendosi në vitin 2014 dhe në vitin 2022, duke ndjekur politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Në të njëjtin kurs është edhe Goran Danilloviq, lideri i Bashkimit (Ujedinjenje), i cili ka një deputet në Parlament dhe është pro tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Ndryshe nga ta është Alleksa Beçiq, lideri i Demokratëve, i cili votoi për miratimin e rezolutës me të cilën Mali i Zi dënoi agresionin rus kundër Ukrainës. Kjo parti mbështet integrimet euroatlantike.

Gjithashtu, në garën zgjedhore është edhe Jakov Millatoviq, Lëvizja Evropa Tani (PES) e të cilit është parti joparlamentare, e themeluar para zgjedhjeve në Podgoricë, në tetorin e vitit 2022, në të cilat kjo lëvizje shënoi sukses.

Millatoviq hyri në politikë si ministër i qeverisë së parë, për të cilin shumica parlamentare votoi në gusht të vitit 2020 dhe nga ajo pozitë votoi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Rundi i parë zgjedhor

Përveç konstatimit se Gjukanoviqi është pjesëmarrës i sigurt në rundin e dytë, Beshiq shpreh mendimin se ndoshta përfundimi i fushatës do të japë përgjigjen se cili nga tre kundërshtarët më të fortë të Gjukanoviqit do të hyjë në rundin e dytë.

“Ka mundësi që Millatoviq, Mandiq dhe Beçiq të jenë relativisht afër, me një diferencë shumë të vogël dhe njëri nga këta të tre të jetë në rundin e dytë. Kjo është hipotetike. Ndoshta nuk do të arrihet fare deri te rishpërndarja e votave të Millatoviqit dhe Beçiqit, të cilët janë të orientuar pothuajse kah i njëjti elektorat. Ndoshta njëri prej tyre do të marrë stafetën në atë elektorat”, thotë Beshiq.

Pretendimet se fituesi i zgjedhjeve presidenciale do të dihet vetëm në rundin e dytë, janë theksuar disa herë nga pjesëmarrësit e garës zgjedhore apo partitë, liderët e të cilave kanë hyrë në garë zgjedhore.

Millo Gjukanoviq tha më 25 shkurt se beson në fitoren e tij në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

“Por, sigurisht që jam gati për të gjithë procesin zgjedhor. Nëse zhvillimi i ngjarjeve do të çojë në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, unë do të marr pjesë në rundin e dytë, me të njëjtin entuziazëm dhe me të njëjtin optimizëm, si dhe me bindjen se do të fitoj në atë rund të dytë”, tha Gjukanoviq.

Në anën tjetër, Millatoviq deklaroi më 26 shkurt, se pas suksesit të PES-it në zgjedhjet e Podgoricës, vetëm ai mund ta mposhtë Gjukanoviqin në zgjedhjet presidenciale.

Ai tha se është i bindur për një kalim të sigurt në rundin e dytë, në të cilin, siç theksoi, pret mbështetjen e kandidatit të shumicës parlamentare nga zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.

“Dhe, besoj se më 2 prill, më në fund, pas tridhjetë vjetësh qeverisje nga një njeri, Mali i Zi do të shohë plotësisht dhe do të kthehet në rrugën e zhvillimit demokratik dhe ekonomik”.

Demokratët thanë gjithashtu se Beçiq është i vetmi, i cili në rundin e dytë, me siguri “do ta mposhtë personifikimin e autokracisë tridhjetë-vjeçare”, kandidatin e DPS-së, Millo Gjukanoviq.

Edhe Nikola Rovçanin nga Demokratët beson se Beçiq, pa asnjë dilemë, do ta mposhtë Gjukanoviqin në rundin e dytë dhe ai beson se qytetarët do ta mbështesin atë “në rast se do të ketë rund të dytë”.

Ndërkaq, një nga liderët e Frontit Demokratik (DF), Millan Knezheviq, në forumin parazgjedhor të Andrija Mandiqit në Mojkovac, shprehu besimin e tij se kandidati i DF-së do të hyjë në raundin e dytë. Prandaj, ai i bëri thirrje Millatoviqit dhe Beçiqit që të bëjnë marrëveshje me DF-në, për mbështetje të ndërsjellë në rundin e dytë.

“Nuk kam kurrfarë dileme që (në raundin e dytë) do të votoja për Millatoviqin, edhe pse nuk pajtohem me 80 për qind të politikave të tij. Por, të njëjtën pres nga Millatoviqi dhe Beçiqi që ta thonë për Mandiqin. Do t’u bëjmë thirrje kudo që ta nënshkruajnë këtë”, tha Knezheviq.

Show More

Related Articles

Back to top button