Krerët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë uruar për festën e 28 nëntorit.
GLOBI më poshtë u sjell urimet:
Arben Taravari
Historiae rëndë na ka bërë ne Shqiptarëve që ndonjëherë të shtyjmën e shajmë njëri tjetrin dhe aty armiqtëtanë janë kënaqur ,por nëse ka një gjë që na ka bashkuar dhe bashkon të gjithëve si me magji, padyshim që ky është Flamuri Shqiptar!
Gëzuar Ditën e Flamurit Tonë që është Roja e Kombit të Shqipëtarve Trima e të Mirë!
Ali Ahmeti
Të dashur vëllezër e motra bashkëatdhetarë,
ju uroj nga zemra ditën e flamurit dhe të pavarësisë së Shqipërisë.
Ky përvjetor i 112-të i ditëve më të shenjta të kombit tonë shqiptar na përkujton që përpjekjet për liri, barazi, pavarësi, flamur, gjuhë janë të përditshme dhe angazhimet tona nuk duhet ti ndalim asnjëherë, për arsye se liria nuk është një destinacion, por një rrugëtim
i përhershëm dhe i pandalshëm.
Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!
Menduh Thaçi,
“Me rastin e Ditës së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë me krenari forcën, qëndresën dhe unitetin e popullit shqiptar. Kjo ditë shënon një moment historik, duke reflektuar sakrificat dhe vendosmërinë që formësuan një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Uroj që fryma e kësaj dite të frymëzojë harmoni dhe sukses për popullin shqiptar anembanë. Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, ju uroj Ditën e pavarësisë!”
Izet Mexhiti
28 Nëntori është ditë historike për gjithë shqiptarët. 112 vite më parë lindi e pavarura Shqipëri, si një shtet që edhe sot rrezaton paqe e krenari kombëtare. Dita e Flamurit është festë përkujtimi e nderimi për burrat e gratë që shkruan historinë e kombit tonë, ndërsa vlerat e tyre edhe sot ndriçojnë të ardhmen tonë kolektive. Është dita kur flamuri ynë, me shqiponjën krenare e me ngjyrat kuq e zi, na bashkon përtej kufijve, duke forcuar besimin se uniteti dhe përkushtimi ndaj idealeve kombëtare janë forca jonë më e madhe. Uroj që kjo festë të shërbejë si burim frymëzimi për ruajtjen e vlerave tona dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. Rroftë populli shqiptar dhe fryma e bashkimit që kjo ditë simbolizon!
Zeqirija Ibrahimi
“Ne shqiptarët, si komb, jemi më afër se kurdoherë me Bashkimin
Europian, ndërsa në vendin tonë janë pikërisht shqiptarët që janë
flamurë të këtij integrimi”.
E ardhmja i përket shqiptarëve në një botë të re, të integruar dhe të zhvilluar, duke uruar që shqiptarët të jenë flamurtarë të paqes, prosperitetit dhe mirëqenies në rajon dhe në vendin tonë.
Urime për një jetë shqiptare plot suksese dhe arritje.
Ziadin Sela
“Edhe pse të ndarë në shumë shtete, e të shpërndarë në mbarë globin, sot të gjithë festojmë me të njëjtën ndjenjë krenarie e atdhedashurie. Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, kur nga momentet më sfiduese për popullin kanë lindur ngjarjet më të mëdhaja që ngritën kombin. Të festojmë, të mburremi, e të punojmë për të përmbushur amanetin e të parë dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë e të fëmijë tanë”!
Arjanit Hoxha
“Një komb, një gjuhë, një flamur! Urime 28 Nëntori”.