
Ukraina nuk do të marrë pjesë në bisedimet e kësaj jave mes SHBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite për përfundimin e luftës në Ukrainë.
ështu, siç raportojnë mediat, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky.
“Ukraina nuk do të marrë pjesë. Ukraina nuk dinte asgjë për këtë”, u tha ai gazetarëve gjatë një konference nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ishte në një vizitë shtetërore.
“Ukraina i konsideron çdo negociatë për Ukrainën pa Ukrainën si të pa rezultat dhe ne nuk mund të njohim… asnjë marrëveshje për ne pa ne”, citohet të ketë thënë ai.
Zelensky shtoi se do të vizitojë Arabinë Saudite të mërkurën.
“Sekretari i Shtetit (Marco) Rubio, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari special Steve Witkoff do të takohen me delegacionin rus në Riad të martën”, ka thënë në një deklaratë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA, Tammy Bruce.
Deklarata e SHBA erdhi disa momente pasi Kremlini njoftoi se ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të takohet me zyrtarët amerikanë në kryeqytetin saudit.