LajmeRajon

Ajola Xoxa sërish në SPAK

Ajola Xoxa, gruaja e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, është paraqitur në SPAK mëngjesin e të premtes, dy ditë pasi Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të rrëzojë kërkesën e saj për t’i kthyer sendet e sekuestruara nga SPAK gjatë kontrollit të 6 dhjetorit 2024 në banesën dhe bizneset e saj.

Në Apel, Xoxa kundështoi vendimin e 20 dhjetorit të Gjykatës së Posaçme, vendim që më herët nuk i ktheu sendet e sekuestruara, përfshi një aparat telefonik celular dhe disa dokumente.

Bashkëshortja e kryebashkiakut kërkoi kthimin e sendeve me pretendimin se ishin administruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kontrollet e ushtruara kishin për qëllim zbulimin dhe administrimin e provave dokumentare dhe elektronike, si pajisje telefonash celularë, laptop apo kompjuterësh personalë, për llogari të hetimit që çoi në qeli kryebashkiakun Erion Veliaj. Ankimi duhet të shqyrtohej nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, për të cilën më 13 shkurt, në një deklaratë publike, anëtari i Kryesisë së PD, Belind Këlliçi, tha se po intimidohej dhe kërcënohej, pretendim që u kundërshtua mes një deklarate zyrtare të Gjykatës së Posaçme, por u shqyrtua nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Por, pak orë para nisjes së seancës, Apeli njoftoi se çështja kishte kaluar në duart e gjyqtarit tjetër, pasi gjyqtarja Olldashi kishte paraqitur një raport shëndetësor për “paaftësi të përkohshme në punë”.

Gjatë së mërkurës, SPAK vijoi ndërkohë me veprime të tjera hetimore për dosjen “Veliaj”. Në orët e para të mëngjesit, në godinën e xhamtë mbërritën vjehrra e tij, Valbona Xoxa dhe biznesmeni Gentian Sula, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Burime jozyrtare të SPAK bënë me dije se e ëma e Ajola Xoxës dhe biznesmeni Sula u thirrën për të dhënë deklarime për çështjen. Referuar dosjes hetimore, SPAK ka ngritur dyshime se një vilë në Qerret, e blerë tek biznesmeni Sula, është pronë e fshehur e kryebashkiakut, ndërkohë vetë Veliaj pretendon se ajo është pronë e prindërve të bashkëshortes së tij.

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button