
Hetimi për zjarrin në diskotekën “Pulse” ka vijuar me kërkime të reja për sigurimin e provave dhe marrjen në pyetje të personave, ndërsa do të marrë masa edhe Drejtoria e Policisë Financiare. Ditën e djeshme është rikthyer në vend i pari nga 115 pacientët e lënduar nga zjarri që po trajtoheshin jashtë vendit.
Sipas informacioneve të fundit, pesë prej pacientëve jashtë vendit janë në gjendje kritike.
Nga spitalet e Shkupit dje janë liruar edhe 12 pacientë të tjerë. Institucionet kanë nisur edhe disa nga ndryshimet ligjore për përmirësimin e procedurave për dhënien e dokumentacionit dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë në objektet hotelierike dhe publike.
Prokuroria Publike dje njoftoi se grupet hetimore kanë konfiskuar pajisje shtesë elektronike dhe prova të tjera gjatë bastisjeve në pesë lokacione në Koçan dhe Shkup për të cilat janë lëshuar urdhra për ekspertizë. Janë zhvilluar edhe intervista me individë që mund të kishin informacione të caktuara. Prokuroria njoftoi se do të urdhërojë edhe Drejtorinë e Policisë Financiare për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara në lidhje me veprimet materiale të disa personave juridikë, të dyshuarve dhe personave të tjerë.
Në kuadër të inspektimit të bërë në Koçan, zyrtarët dje kanë mbledhur prova lidhur me zjarrin në diskotekën “Pulse”, ndërsa një kontroll i ngjashëm është bërë edhe në Vinicë, nga ku janë shefat e dikurshëm dhe aktual të Sektorit të Inspeksionit në Shtip, i cili është përgjegjës për qytetet në rajonin lindor.
Ekipi i prokurorëve publikë është duke punuar në aktivitete që përfshijnë marrjen në pyetje të më shumë se 300 dëshmitarëve, si dhe veprime të tjera hetimore dhe mendime përkatëse të ekspertëve nga shumë fusha. Numri i përgjithshëm i të dyshuarve për zjarrin e Koçanit deri më tani është 34 persona. Me hetim janë përfshirë 27 persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa procedura hetimore ka edhe ndaj shtatë zyrtarëve policorë nga Drejtoria e Policisë Shtip dhe Stacioni Policor i Koçanit. Dy kallëzime penale janë ngritur për veprën penale të “krimeve të rënda kundër sigurisë publike” nga neni 292 në lidhje me “shkaktim rreziku publik” nga neni 288 i Kodit Penal.
Në Klinikën e Toksikologjisë është nën vëzhgim i pari nga pacientët e trajtuar jashtë vendit, i cili u kthye dje në vend. Ekipet mjekësore po miratojnë edhe lëshimin nga spitali të lënduarve të shtruar në spitalet vendase./Telegrafi/