LajmeRajon

Shpërthen një granatë dore brenda Postës së Kosovës në Zveçan, çfarë thotë policia

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një granatë dore ka shpërthyer brenda objektit të Postës së Kosovës në Zveçan pak pas mesnatës të martën, teksa thotë se një tjetër “e kemi shpërthyer ne në mënyrë të kontrolluar”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se nuk ka persona të lënduar, por se ka dëme materiale.

Dega e Postës së Kosovës në Zveçan u hap më 27 mars, në të njëjtën ditë kur u hap edhe në Zubin Potok – të dyja komuna në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Më parë në këtë objekt ndodhej dega e Postës së Serbisë, që u mbyll në maj të vitit të kaluar.

Në fund të vitit të kaluar ishin raportuar disa sulme të ngjashme me granata dore. Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të lënduar.

Ndërkaq, më 29 nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button
Globi.mk