LajmeRajon

Sot rinis parlamenti aktual, mesazhi i Bardhit drejtuar deputetëve të PD: Denonconi faktet për farsën elektorale të 11 majit

Parlamenti aktual rinis sot punimet pas mbylljes së procesit zgjedhor të 11 majit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka drejtuar një mesazh kolegëve të tij deputetë demokratë për seancën plenare të ditës së sotme që do të jetë e para pas zgjedhjeve të 11 majit.

Në mesazhin e tij, Bardhi thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë seancë dhe deklaron se do të bëhet gjithçka për të paraqitur faktet e asaj që ai e cilëson si “farsë elektorale”. “Të nderuar kolegë, nesër ora 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit. Ju përshëndes!” – shkruan Bardhi.

Seanca parlamentare do të zhvillohet në orën 12:00 dhe pritet të shënojë rikthimin e debatit politik në Kuvend, pas një fushate zgjedhore të shoqëruar me akuza për parregullsi dhe manipulime.

Në orën 10:00, përpara seancës plenare, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur Konferencën e Kryetarëve, ku do të diskutohet kalendari i punimeve për javët e mbetura të sesionit parlamentar dhe ecuria  e planit të veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për periudhën janar-mars 2025.

Nga ana tjetër, PS do të mbledhë grupin parlamentar një orë para nisjes së seancës.

Në rend të ditës është edhe shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 29 maj – 18 qershor 2025 si dhe Raporti i Monitorimit për periudhën 1 janar – 31 mars 2025, për ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimevetë raportit të Komisionit Evropian për vitin 2024.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk