LajmeMaqedoni

Fëmijëri nën qiell të hapur: Masat kundër lypjes në Maqedoninë e Veriut pa efekt

Foshnja që vihen në gjumë me ngjitës dhe qetësues, fëmijë trevjeçarë që lypin para nga qytetarët, vajza të mitura që mbeten shtatzëna. Ky është fati i qindra fëmijëve të cilëve rruga u bëhet shtëpi, ndërsa lypja mënyrë jetese, shkruan Radio Evropa e LIRë.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të sakta se sa fëmijë janë në rrugë. Krahas mospërputhjes të të dhënave me të cilat disponojnë institucionet dhe sektori i shoqërisë civile, përvoja tregon se numri i tyre çdo verë rritet, sidomos në qendrat turistike në mbarë vendin.

“Fëmijët transportohen me makina dhe furgonë. Zakonisht ata nga Kavadari, Prilepi dhe Manastiri dërgohen në Ohër, ndërsa ata nga Gostivari dhe Kërçova dërgohen në Strugë. Pastaj, fëmijët lypës nga Strumica dërgohen në Dojran, ndërsa ata nga Tetova, Gostivari, Velesi, Shtipi dhe Kumanova dërgohen në kryeqytet”, thotë kryetari i shoqatës “Ndërtojmë të ardhmen”, Ilija Jovanoviq.

Shtëpi të braktisura në vend të një vatre të ngrohtë

Sipas tij, këta fëmijë jetojnë në shtëpi të braktisura ose baraka të vjetra.

“Për fat të keq prindërit e tyre janë bashkëfajtor në abuzimin e tyre”, thotë Jovanoviq.

Shoqata e tij ka arritur në përfundimin se vetëm në rrugët e Shkupit ka nga 200 deri më 350 fëmijë që lypin. Megjithatë, numri me të cilin disponon Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë është dukshëm më i ulët.

Në një përgjigje me shkrim nga atje thonë se në mbarë vendin ka 166 fëmijë që lypin.

Numri më i madh i tyre ndodhen në qytetet më të mëdha si Shkupi dhe Manastiri, ndërsa gjatë periudhës së verës vihet re rritje e numrit të fëmijëve lypsarë në disa nga qendrat turistike si Ohri dhe Struga, thonë nga ky institucion në përgjigjen me shkrim.

Ekipet e tyre bashkë me policinë vitin e kaluar kanë vepruar më shumë se njëqind herë në kryeqytet.

Në Tetovë në vitin 2024 janë regjistruar 10 fëmijë, në Manastir 11, në Gostivar 5 dhe në Prilep 3 – theksojnë nga Ministria.

Megjithatë, Jovanoviç nga “Ndërtojmë të ardhmen” kërkon që ekipet të punojnë në tre turne dhe të jenë në terren më shpesh. Me këtë ritëm do mund të reduktohet fenomeni i lypjes, thotë ai.

Për këtë problem ai e drejton gishtin te të gjithë kryetarët e mëparshëm të komunave në të gjithë vendin, sepse ata nuk kanë kërkuar fonde nga pushteti qendror për të hapur qendra ditore që do të kujdeseshin për fëmijët e rrugës.

“Ky është problem prezent për dekada të tëra dhe është pasojë e paaftësisë së të gjithë kryetarëve të komunave. Askush nuk ka një program, u bëj thirrje që të bëjnë diçka të paktën pas zgjedhjeve. Kështu do ketë më shumë punësime për ata që kanë mbaruar fakultete në degën e mbrojtjes sociale”, thotë Jovanoviq.

Se shteti ka mungesë të qendrave ditore për fëmijët lypsarë alarmojnë edhe nga Zyra e Avokatit të Popullit. Pikërisht hapja e qendrave të tilla është një nga rekomandimet në Analizën e fundit të këtij fenomeni negativ.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se masat e ndërmarra nga autoritetet kompetente nuk janë aq sa duhet efikase.

“Duhet të punohet paralelisht me prindërit, që të fitojnë aftësi të caktuara që të mund të gjejnë një punë dhe në vend që të jenë shembull si lypsarë, fëmijës t’i japin shembull duke i siguruar mjete për jetesë përmes punës. Padyshim që shteti duhet ta marrë përsipër kujdesin e plotë për fëmijët që lypin duke i zgjidhur problemet sistematikisht “, shtojnë nga ky institucion.

Sipas Analizës së Avokatit të Popullit shteti duhet të krijojë një sistem të integruar të të dhënave për këta fëmijë, i cili përveç shërbimeve sociale do ta përfshijë edhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.

Për të njëjtën periudhë hulumtimi, Qendrat kompetente për punë sociale në nivel shtetëror kanë dorëzuar pran Zyrës së Avokatit të Popullit të dhëna të ndryshme për gjendjen me fëmijët e rrugës nga ato që këto qendra i kanë dorëzuar pranë I.P. Enti për Veprimtari Sociale, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Kodi Penal parasheh dënim me burg nga një deri në dhjetë vjet për çdo prind, prind adoptues, kujdestar ose person tjetër i cili, duke neglizhuar rëndë detyrën e tij për kujdes dhe edukim, neglizhon ose abuzon me një fëmijë.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk