
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se është arrestuar një grua 43-vjeçe nga Manastiri, e cila dyshohet se ka mashtruar një 64-vjeçar për shumën prej 22.500 eurosh. Sipas MPB-së, ajo i kishte premtuar viktimës punësimin e djalit të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke u paraqitur rrejshëm si e punësuar në këtë institucion.
“SPB Manastir ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Manastir kundër M.L., për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale ‘mashtrim’, sipas nenit 247 të Kodit Penal. Në periudhën nga 15 shtatori 2024 deri më 15 prill 2025, e denoncuara ka mashtruar një person 64-vjeçar nga Manastiri, duke u prezantuar rrejshëm si punonjëse e MPB-së dhe duke i premtuar punësimin e djalit të tij në këtë institucion, si dhe duke përdorur procedura të tjera mashtruese. I dëmtuari i ka dhënë para disa herë, në total 22.500 euro,” bëhet e ditur nga MPB.



