LajmeSport

Pasi e “shkatërroi” Madridin, PSG-ja kërkon suksesin historik

Të veshur me fanellat me ngjyrë të kaltër, të kuqe dhe të bardhë, tifozët e Paris Saint-Germainit ishin të rrethuar nga fanella të bardha.

Tifozët e Real Madridit përbënin 95 të shikuesve në stadiumin “MetLife” në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, të mërkurën. Fanellat e “Los Blancos” shkëlqenin në diellin e ashpër të verës. Por ishin tifozët e PSG-së, të vendosur në disa pjesë pas njërës portë, që brohoritën nga fillimi e deri në fund.

Dhe ekipi i tyre është një fitore larg një suksesi historik të katërfishtë.

Shpartallimi 4:0 i Real Madridit në gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve, pas fitores 5:0 ndaj Interit në finale të Ligës së Kampionëve, përforcoi idenë se PSG-ja mund të jetë ekipi dominues në futboll.

“Ne gjithmonë kemi thënë se puna kolektive e lojtarëve është ajo që na ndihmon”, ka thënë Fabian Ruiz, i cili shënoi dy gola ndërsa Parisi krijoi epërsi 3:0 në 24 minutat e parë. “Jemi një grup i shkëlqyer, grup i ri që po punon mirë”.

PSG-ja të dielën përballet me Chelsean në finale, në edicionin e parë të Kupës së Botës për Klube me format të zgjeruar. Do ta ketë rastin ta fitojë trofeun e katërt të madh, saktësisht 100 ditë pasi e siguroi titullin e Francës. Më pas e fitoi Kupën e Francës më 24 maj, ndërsa “shkatërroi” Interin shtatë ditë më pas.

Fanellat e PSG-së nuk i kanë emrat e yjeve më të mëdhenj të futbollit në shpinë dhe mund të mos jenë të shpërndara kudo si fanellat e Manchester Unitedit, Liverpoolit, Arsenalit, Manchester Cityt e Chelseat. Por klubi po e mbush me trofe dhomën e trofeve në stadiumin “Parku i Princave”.

Më 31 maj në Munih, Achraf Hakimi shënoi golin e parë në minutën e 12-të. Desire Doue shënoi dy golat e tjerë, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia dhe Senny Mayulu shtuan nga një.

Të mërkurën ndaj Madridit, Ruiz shënoi në minutën e gjashtë dhe Ousmane Dembele në të nëntën, pas gabimeve të rënda të Raul Asencios dhe Antonio Rudigerit. Ruiz shënoi për 3:0, derisa Gonçalo Ramos shënoi për 4:0 në minutën e 87-të.

Dembele startoi për herë të parë që kur u lëndua duke luajtur për Francën më 5 qershor.

“Ishte hera e parë në këtë Botëror që kemi mundur ta shfrytëzojmë Dembelen si lojtar normal”, ka thënë trajneri Luis Enrique. “Mendoj se ai është bindshëm lojtari më i mirë këtë edicion dhe meriton t’i fitojë të gjitha. Ai jep çdo gjë për ekipin dhe ekipi do të fitojë trofe. Kjo është gjëja më e rëndësishme për klubin”, ka shtuar Enrique.

Ai vlerësohet më meritori që e shndërroi një skuadër pa yje të mëdha në një superfuqi.

“Të gjithë kemi shkruar histori, lojtarët, stafi, drejtori sportiv, menaxherët, tifozët. Të gjithë kemi bërë histori”, ka shtuar Enrique.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk