
Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vjeshtë në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratës është e vërshuar nga shpalljet për punësime. Kërkohen punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet janë të hapura deri në fund të korrikut, kur hyjnë në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhet të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente, raporton Dojçe Vele DW.
Dhjetëra shpallje për punësim ka publikuar Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa shpallje të shumta aktive për punësimin e kuadrove të reja ka edhe në Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Këshilli Fiskal, Agjencia e Punësimit, Ministria e Financave, Drejtoria e Doganave, Qyteti i Shkupit, por edhe komunat e tjera që shpejtuan të punësojnë para zgjedhjeve gjithashtu do t’i përforcojnë kuadrot e tyre me fuqi të re punëtore.
MPB do të punësojë 150 policë
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs për pranimin e 150 oficerëve të policisë me uniformë. Policia u bën thirrje të gjithë anëtarëve të rinj jopartiakë nën moshën 25 vjeç, burra dhe gra, me gjatësi trupore të paktën 170 dhe 160 centimetra, me diplomë të shkollës së mesme dhe pa precedent të vlefshëm penalë, që të aplikojnë për këtë vend pune i cili do të paraprihet nga një proces intensiv njëvjeçar trajnimi dhe edukimi. Por, kandidatët do të duhet të bëjnë gjithashtu nëntë pompa për burrat dhe gjashtë për gratë, ulje-ngritje, si dhe do të testohen në kërcim së gjati dhe vrapim me shpejtësi në 20 dhe 100 metra, me qëlim të të bëhet selektimi i tyre.
“Të qenit polic është një thirrje, jo një profesion i zakonshëm. Prandaj bashkohu me ne, pranoje thirrjen tënde, bëhu polic. Nëse vendos ta ndjekësh thirrjen tënde, ta pranosh sfidën, të pret një proces intensiv njëvjeçar edukimi dhe trajnimi”, thuhet në thirrjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Vërshime shpalljesh për punësim
Sindikata e punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare (SPAOGjShQ)dhe Organizata Sindikale në Agjencinë e Administratës kohët e fundit alarmuan për një rritje rekord të numrit të shpalljeve për punësimnë periudhën parazgjedhore, e për këtë arsye kërkuan një rritje prej 30 përqind të pagave të punonjësve në Sektorin për përzgjedhjen e kandidatëve për punësim. Deri më 9 korrik ka pasur 730 shpallje për punësimin e më shumë nëpunësve administrativë, që, sipas tyre, është numri më i lartë i shpalljeve për punësim të publikuara që nga ekzistenca e Agjencisë së Administratës.
Përmes një njoftimi ata theksuan se çdo ditë për vite me radhë përballen me presione (institucionale, administrative, politike, publike dhe psikologjike). “Për vite me radhë, para shpalljes së të gjitha zgjedhjeve të mëparshme, ashtu dhe edhe këtë vit, që të përfundohen të gjitha shpalljet para shpalljes së zgjedhjeve lokale, punonjësit e Sektorit të selektimit në Agjencinë e Administratës kanë punuar nën presion jashtëzakonisht të lartë si pasojë e zbatimit të procedurave në afate shumë të shkurtra, gjë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e tyre mendor dhe fizik, si dhe e pengon funksionimin e tyre normal jashtë orarit të punës”, thanë nga sindikata.
Bëhet fjalë për një praktikë që përsëritet para çdo cikli zgjedhor, pavarësisht kritikave të shumta nga BE-ja për administratën tejet të madhe, nevojën për departizimin e saj dhe reformimin e saj urgjent. Autoritetet njoftojnë për zgjidhje të reja ligjore për përmirësimin e shërbimeve dhe efikasitetin e administratës publike. Ministri i administratës publike, Goran Minçev, së fundmi njoftoi se ligjet e miratuara të reformave – Ligji për Nëpunësit Administrativë, Ligji për Punonjësit në Sektorin Publik dhe Ligji për Avancimin Profesional dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativë – do të nënkuptojnë fundin e punësimit partiak, klientelizmit dhe reformave formale që për vite me radhë kanë shërbyer si mbulesë për mosfunksionimin.
Deri më 31 dhjetor të vitit 2022 në sektorin publik kanë qenë të punësuar 129.374 persona në gjithsej 1.354 institucione. Krahasuar me vitin 2021, numri i të punësuarve në sektorin publik është zvogëluar për 2.714 persona.



