
Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit e quan skandaloz fjalorin e kryeministrit Hrisitjan Mickoski gjatë seancës së djeshme të pyetjeve të deputetëve, i cili duke u përgjigjur ndaj pyetjes së deputetit Halil Snopçe, foli rreth daljes së Taravarit nga Qeveria dhe koalicionimit të tij në zgjedhjet lokale me BDI-në.
“Kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka përdorur një fjalor skandaloz d he të papranueshëm për një përfaqësues shtetëror, duke etiketuar garën politike në qytetet me shumicë shqiptare si një përpjekje për të mos lejuar “kaurët” të fitojnë në Tetovë, Gostivar dhe qytete të tjera. Kjo gjuhë nuk është thjesht ofenduese – është thellësisht përçarëse dhe përbën një rrezik serioz për bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin demokratik të vendit”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Mickoski gjatë ditës së djeshme derisa foli për daljen e Taravarit nga Qeveria, fillimisht shpjegoi rrethanat kur Taravari nuk kishte marrë vendim nëse do të garojë bashkë me koalicionin VLEN ose jo. Siç deklaroi Mickoski, Taravari i kishte propozuar të futet BDI në qeveri, ndërsa ai e kishte paralajmëruar që të ketë kujdes nga sindromi i “letrës higjienike”.
“Më tha pse të mos hyjë BDI. Dhe unë e shoh në sy dhe nëse hyn BDI, çfarë më duhesh ti? I them Arben e di cili është qëllimi, e di çfarë bëni. Atje ku do të kandidoni kandidatë për kryetarë komune nuk do të kandidojë BDI. Do të mbështesin në heshtje e kështu me radhë. Por, kujdes sindromin e letrës higjienike shumë herë e ke ndjerë në të kaluarën, nuk është mirë sërish ta ndjesh” , deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Duke folur rreth zhvillimeve politike, në kontekst të koalicionit Arben Taravari – Ali Ahmeti, Mickoski më tej tha se e ka kuptuar strategjinë e opozitës shqiptare për këto zgjedhje, duke e theksuar me fjalët “Mos ta lëmë kaurin të fitojë Gostivarin e Tetovën”.
“Unë e di se cila është strategjia për këto zgjedhje lokale. “Të mos lejojmë kaurët në Gostivar, në Tetovë të na zgjedhin kryetarë komunash”. E di cila është strategjia juaj. Mos mendoni se nuk e di çfarë bëni. Por, ajo është politikë e shekullit të XIX-të, tani jemi në shekullin XXI, njerëzit në Mars kanë hipur”



