
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane. Sipas tij përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara. Vendimi i Kurtit erdhi pasi Tramp, prezantoi tarifat e reja ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti SHBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.
“Tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-të do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve. Ky është një hap i radhës që dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe njëkohësisht tregon përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të pasur një marrëveshje për tregëti të lirë me ShBA-të”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës. /Alsat.mk



