LajmeRajon

KDI: Bllokada në Kuvend ka cenuar rëndë funksionimin institucional dhe rendin kushtetues

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar sot analizën mbi pasojat e bllokadës në Kuvendin e Kosovës, e cila ka hyrë në muajin e katërt pa një zgjidhje funksionale. Raporti nënvizon se mungesa e konstituimit të Kuvendit nuk është më thjesht një krizë politike pas-zgjedhore, por një çrregullim institucional serioz, me pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë funksionale dhe për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjatë konferencës për media, Eugen Cakolli nga KDI theksoi se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një vakuum institucional, ku qytetarët janë lënë pa përfaqësim politik, Qeveria në dorëheqje vepron pa mbikëqyrje parlamentare, dhe institucionet e pavarura kanë mbetur jashtë kontrollit demokratik.

“Kuvendi nuk është thjesht një institucion ligjvënës. Ai është themeli i rendit kushtetues të Kosovës. Pa Kuvend funksional, qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja dhe shteti ka hyrë në një fazë pauze”, tha Cakolli.

Sipas analizës së KDI-së, mungesa e Kuvendit ka ndikuar në disa rrafshe të funksionimit të shtetit. Para së gjithash, nuk është respektuar afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e tij, siç e përcaktoi Gjykata Kushtetuese në vendimin KO124/25. Kjo shpërfillje përbën shkelje të qartë të rendit kushtetues dhe minon parimin se vendimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe detyruese. Mbi të gjitha, kjo e ka futur vendin në një terren të pashkelur kushtetues, me pasoja të paparashikueshme, që do të duhej të sqaroheshin nga Gjykata Kushtetuese.

Në këtë periudhë vakuumi, Qeveria në dorëheqje ka ndërmarrë vendime me ndikim të madh politik dhe financiar – përfshirë mbi 70 milionë euro angazhime buxhetore – në mungesë të kontrollit parlamentar dhe jashtë mandatit të kufizuar që përcakton Ligji për Qeverinë.

“Vendime për ndarjen e subvencioneve, themelimin e komisioneve të përhershme, ose ndryshime kadrovike në borde publike janë marrë, pa asnjë filtër mbikëqyrës apo diskutim institucional”, u tha tutje.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk