LajmeMaqedoni

ASH: Shpifjet e VMRO-DPMNE-së nuk pijnë ujë

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj akuzave të fundit të VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj Hristijan Mickoski, duke i cilësuar ato si “shpifje të ulëta” dhe përpjekje për të devijuar vëmendjen nga dështimet e njëpasnjëshme të kësaj partie.

Në reagimin e ASH-së theksohet se Mickoski dhe partia e tij janë “kampionë të shpifjes”, ndërsa të gjitha akuzat ndaj Arben Taravarit dhe Aleancës për Shqiptarët “janë të pabazuara dhe mashtrim i opinionit publik”.

“VMRO-DPMNE ka qenë në bashkëqeverisje lokale me Aleancën për Shqiptarët dhe deri dje edhe në nivel qendror. Është e çuditshme pse deri më tani nuk kanë pasur asnjë vërejtje, ndërsa sot, pasi ua kemi prishur planet ogurzeza ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, tentojnë mjerisht të thurin gënjeshtra e përralla”, thuhet në reagimin e partisë.

ASH i kujton VMRO-së aferat e mëdha korruptive nga koha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, duke theksuar se ende sot kjo parti mban rreth vetes funksionarë të korruptuar. “Ata akuzojnë për një parking që s’u bë kurrë, pa asnjë fakt keqpërdorimi, ndërsa gërmadhat e korrupsionit të tyre qëndrojnë në qendër të Shkupit dhe nuk i lan dot as uji i lumit Vardar e as i ndonjë oqeani”, thuhet më tej.

Duke iu referuar qëndrimeve politike të Mickoskit, Aleanca për Shqiptarët thekson se lideri i VMRO-së ka shfaqur qartë orientimin e tij antishqiptar dhe antievropian. “Deklarata e tij e fundit se ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin as para e as pas zgjedhjeve lokale, është dëshmi e qartë e sabotimit të rrugës evropiane të vendit”, nënvizon ASH.

Në fund, kjo parti i bën thirrje Mickoskit të shkëputë lidhjet me Moskën, Budapestin dhe Beogradin, duke e akuzuar atë si promotor të projektit të “Botës Serbe”.

“Shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në armike të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk