LajmeRajon

Presidentja e Kosovës kërkon konstituimin urgjent të Kuvendit

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani ka kërkuar konstituimin urgjent të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Sipas saj, zvarritja e mos formimit të institucioneve po cenon perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës.

“Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që Qeveria të zgjidhet urgjentisht, çdo ditë e humbur është e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më parë të jetë e mundur”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Në linjë të Osmanit, ditë më parë u deklaruan disa ambasadorë nga vendet e BE-së. Përmes një përgjigje ndaj thirrjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, diplomatët e BE-së thanë se nuk kanë çfarë kërkojnë në Qeveri derisa ajo nuk është e institucionalizuar sipas Kushtetuës.

“Vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë”, thuhet në letrën e shefave të Misioneve të BE-së në Kosovë.

Ndërkohë Organizata e Veteranëve të Luftës-UÇK përmes një letre drejtuar shefave të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar shkarkimin e Dimal Bashës nga pozita e kryetarit të Kuvendit. Sipas tyre, arsye për shkarkimin e Bashës janë qëndrimet e këtij të fundit kundër UÇK-së të cilën dikur e kishte cilësuar “milici e nëntokës e lidhur me banda kriminale dhe drogë”.

“Ky qëndrim përbën një fyerje të rëndë për luftën tonë çlirimtare, për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, si dhe për vetë themelet mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës. Një individ që ka mohuar dhe njollosur luftën e UÇK-së nuk gëzon më legjitimitet moral e politik për të përfaqësuar institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve tanë”, thuhet në thirrjen  e OVL-UÇK për grupet parlamentare.

Më 26 gusht, Dimal Basha gjashtë muaj pas zgjedhjeve në Kosovë u zgjodh kryetar i Kuvendit. Megjithatë, konstituimi i ligjvënësit ka ngecur në zgjedhjen e nënkryetarëve, vota të cilat Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka. Për dalje nga ngërçi politik dhe kushtetues, partitë parlamentare kanë kërkuar shqyrtimin e mundësisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. /Alsat.mk

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk