LajmeRajon

SHBA: Po ndjekim me vëmendje zhvillimet e fundit në Serbi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërbska të Bosnjë e Hercegovinës. Ambasadori amerikan në NATO Matthew Whitaker në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, tha se synimi është që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.

Ai theksoi se SHBA-ja “do stabilitet në Ballkanin Perëndimor” dhe kjo, siç tha, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët “e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”.

“Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha Methju Vhitaker, Ambasador i SHBA-së në NATO.

I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, ai tha se NATO-ja vepron me unanimitet, por shtoi se “jemi shumë larg diçkaje të tillë”.

“Nëse NATO-ja do të përfshihet… Rregulli numër 1 në politikë është të mos u përgjigjesh hipotezave. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha palët që të punojnë në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit”, u shpreh Methju Vhitaker, Ambasador i SHBA-së në NATO.

Ambasadori amerikan tha, po ashtu, se “NATO-ja është më e fortë se kurrë” dhe se “kjo duhet të jetë shumë shqetësuese për kundërshtarët tanë”./ Alsat.mk

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk