LajmeMaqedoni

BDI: Reagimi i Jehona Ajdinit i konfirmon dyshimet, Prokuroria të hapë hetim për ndikimin e Izet Mexhitit

Bashkimi Demokratik për Integrim rikujton se dje alarmoi për një rast që cilësohet si skandal i paparë: një projekt prej 18 mijë eurosh është ndarë për Jehona Ajdinin, partneren e punonjësit të kabinetit të Izet Mexhitit.

Sipas BDI-së, kjo përbën një tregues serioz se dyshimet për nepotizëm dhe ndikim politik janë të bazuara. Në reagimin e saj, Jehona Ajdini pranon se tri vite me radhë ka aplikuar pa sukses, ndërsa pikërisht tani, kur partneri i saj është pjesë e rrethit më të ngushtë të Mexhitit, ajo përfiton mjete nga buxheti i shtetit.

BDI ka ngritur pyetje thelbësore:

A kanë të rinjtë artistë shqiptarë pa përkrahje partiake të njëjtën mundësi?

Pse regjisorë me përvojë dhe projekte serioze u refuzuan pa arsyetim, ndërkohë që partnerja e njërit prej njerëzve më të afërt të Mexhitit përfiton fonde?

A është shndërruar Agjencia e Filmit në filial privat të VLEN-it dhe elitave partiake?

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon:

Hetim të menjëhershëm nga Prokuroria për keqpërdorimet dhe ndikimet mbi Agjencinë e Filmit.

Publikim të të gjitha kritereve, pikëzimeve dhe arsyetimeve të komisionit për ndarjen e mjeteve.

Përgjegjësi për ata që e kanë shndërruar kulturën në pronë partiake të njerëzve të afërt me Izet Mexhitin.

BDI thekson se ky nuk është sulm ndaj artistëve të rinj, por mbrojtje e barazisë së mundësive, profesionalizmit dhe kulturës si vlerë që i takon të gjithë qytetarëve. Partia paralajmëron se do të vazhdojë ta mbrojë kulturën nga keqpërdorimet partiake dhe kërkon që drejtësia të dalë në pah.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk