
Java e 5-të në Ligën e Parë Futbollistike në Maqedoni do të hapet me derbin e madh shqiptarë në Tetovë, ku kampioni aktual Shkëndija përballet me Bashkimin.
“Kuqezinjtë” nga Tetova, që deri më tani kanë grumbulluar 7 pikë dhe kanë një ndeshje më pak për shkak të angazhimeve evropiane, do të kërkojnë rikthimin te fitoret për të mos humbur hapin me kreun e tabelës. Nga ana tjetër, kumanovarët e Bashkimit vijnë pas humbjes nga Struga Trim Lum, por të inkurajuar me fitoren në 1/16 e fianales së Kupës së Maqedonisë kundër Pobedës (4-0), andaj do të provojnë që të sjellin befasi edhe në Tetovë.
Po të njëjtën ditë, në Shkup, zhvillohet derbi i qytetit mes Vardarit dhe Makedonija Gj.P., një përballje që gjithmonë sjell rivalitet
Të shtunën, në program janë dy sfida të rëndësishme, ku FC Shkupi në Strumicë përballet me AP Breran, duke synuar të marrë veten pas startit të vakët në kampionat.
Sileksi, lideri aktual i tabelës, pret Rabotniçkin dhe do të kërkojë të mbajë ecurinë pa disfatë dhe pa gol të pranuar.
E diela sjell dy duele që kompletojnë xhiron e pestë: Struga Trim Lum, do të synojë fitoren e pestë radhazi, me kundërshtar Tikveshin. Arsimi udhëton në Manastir për t’u përballur me Pelisterin, në një ndeshje të rëndësishme për objektivat e skuadrës nga Çegrani.
Liga e Parë- Java 5:
Shkëndija – Bashkimi | 12 shtator, 15:30
Vardari – Makedonija Gj.P | 12 shtator, 19:00
AP Brera Strumicë – Shkupi | 13 shtator, 15:30
Sileksi – Rabotniçki | 13 shtator, 15:30
Struga – Tikveshi | 14 shtator, 15:30
Pelisteri – Arsimi | 14 shtator, 19:00



