
Ousmane Dembele është kandidati kryesor për ta fituar “Topin e Artë” 2025, sipas një analize të avancuar nga firma franceze e inteligjencës artificiale “Avisia”. Përmes modelit të saj të njohur si “Avisia Player Index”, kompania ka parashikuar 72% shanse që sulmuesi i PSZH-së të shpallet fituesi i këtij çmimi prestigjioz.
Ky algoritëm ka pasur një saktësi mbi 90% në parashikimet e mëparshme, duke përfshirë edhe renditjen e tre të parëve të “Topit të Artë” 2024.
Dembele ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me PSZH-në, duke shënuar 33 gola dhe dhënë 15 asiste në 49 ndeshje. Ai ka ndihmuar klubin të fitojë titujt e Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve, duke kontribuar në fitoren 5-0 ndaj Interit në finale.
Trajneri i PSZH-së, Luis Enrique, ka lavdëruar performancën e tij, duke e quajtur atë “lider të vërtetë” dhe mbështetur për “Topin e Artë”. Në garë për çmimin janë edhe lojtarë të tjerë të spikatur si: Lamine Jamal, Vitinja, Mohamed Sallah e Rafinja, por Dembele mbetet favorit kryesor për ta fituar këtë vit.



