
Kryeministri në detyrë , Albin Kurti, është pritur në një takim të veçantë nga përfaqësues dhe anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë në Amerikë (APEN), gjatë vizitës së tij në New York.
Në një atmosferë bashkëbisedimi me anëtarët e APEN, Kurti shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e këtij rrjeti në ndërlidhjen e profesionistëve shqiptarë në diasporë.
“Jemi mbledhur këtu sot jo vetëm si profesionistë, por si shqiptarë krenarë, të bashkuar nga një trashëgimi e përbashkët dhe angazhim për të ndërtuar ura midis atdheut dhe komunitetit tonë në diasporë,” u shpreh Kurti në fjalën e tij hyrëse.
Ai vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme, duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në zhvillimin e të dy vendeve.
“Në biznes, teknologji, drejtësi, mjekësi, akademi apo art, ju çoni përpara një traditë të përsosmërisë dhe qëndrueshmërisë që përcakton se kush jemi ne si popull,” tha ai, duke shtuar se “diaspora jonë nuk është vetëm një komunitet jashtë vendit, por një forcë lëvizëse për inovacion, rritje dhe progres në të dy anët e Atlantikut.”
Gjatë takimit, Kurti ndau edhe vizionin e qeverisë për angazhimin e diasporës, duke përmendur projekte konkrete që kanë për qëllim përfshirjen aktive të profesionistëve të rinj nga diaspora në zhvillimin e vendit.\
“Përmes Bursës së Diplomacisë Qytetare, ne po sjellim profesionistë të rinj nga diaspora në sektorin tonë publik, duke ju lejuar të kontribuoni me ekspertizën tuaj dhe të formësoni të ardhmen e Kosovës,” theksoi ai.
Kurti gjithashtu prezantoi “Dritaren për Investimet e Diasporës”, që është pjesë e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si një instrument për të nxitur investimet nga jashtë dhe për të krijuar ura bashkëpunimi ndërbreznore dhe ndërprofesionale.
“Këto nuk janë vetëm programe, por edhe ura midis brezave, profesioneve e mes atdheut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” u shpreh Kurti.



