GostivarLajme

Këmbimorja “Alpina” dhuron 100 çanta shkollore për nxënësit në nevojë në Gostivar

Në vazhdën e përkushtimit për ndihmë dhe solidaritet me komunitetin, siç mëson televizioni Globi, këmbimorja “Alpina” në Gostivar ka dhuruar 100 çanta të reja për nxënësit nga familjet me të ardhura të ulëta. Çantat do të shpërndahen përmes shkollave të qytetit, të cilat kanë bërë edhe përzgjedhjen e nxënësve.

Drejtuesit e këmbimores “Alpina” theksuan se ky donacion synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve në nevojë dhe të sigurojë që çdo nxënës të ketë pajisjet bazë për një fillim të mbarë shkollor. “Edhe këtë vit kemi vendosur të dhurojmë 100 çanta për nxënësit e shkollave të Gostivarit, si pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për të ndihmuar komunitetin.

Donacioni është dedikuar posaçërisht për fëmijët nga familjet me kushte të vështira ekonomike. Falënderojmë drejtorët e shkollave që bashkëpunuan me ne dhe bënë përzgjedhjen e nxënësve në nevojë”, deklaruan nga këmbimorja “Alpina”.

Nga kjo këmbimore theksuan se ky nuk është donacioni i parë i këtij lloji, pasi ndër vite “Alpina” ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në fusha të ndryshme sociale, përfshirë edhe ndihmat për familjet në nevojë dhe fëmijët në rrezik social.

Drejtuesit e këmbimores “Alpina” urojnë të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin arsimor të shënojnë suksese të shumta shkollore.

 

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk