LajmeMaqedoni

Sekretariati për Kulturë-BDI: VLEN dështoi me Festivalin e Teatrit në Tetovë, nga art në miting politik

Sekretariati i Kulturës pranë Bashkimit Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj mënyrës se si u hap Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë, duke e quajtur atë një dështim të plotë të politikave kulturore të VLEN-it.

Sipas reagimit, në vend që të ishte një festë e artit dramatik dhe një ngjarje jubiliare me peshë, publiku u përball me sallë gjysmë të zbrazët dhe atmosferë të zymtë, gjë që e shndërroi ngjarjen në zhgënjim të plotë.

“Drejtori, për të shëruar komplekset e veta, e shndërroi këtë festival në një katrahurë dhe miting politik,” theksohet në reagim, duke nënvizuar se puna vetmohuese e personaliteteve dhe stafit artistik që e kanë mbajtur gjallë festivalin ndër vite, u injorua plotësisht.

Sekretariati i Kulturës kritikon ashpër faktin që në këtë jubile nuk pati asnjë falënderim për artistët dhe njerëzit që e krijuan e zhvilluan festivalin. “Të fshihet kontributi i tyre është mosmirënjohje dhe deformim i memories kulturore të qytetit”, thuhet më tej.

Në reagim theksohet se një festival që mban emrin “ndërkombëtar” nuk mund të justifikohet pa praninë e teatrove nga Europa apo nga vendet fqinje si Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Bosnja apo Kroacia. Mungesa e tyre, sipas BDI-së, e varfëroi programin dhe ia hoqi festivalit dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar.

“VLEN bëri një keqpërdorim brutal të festivalit duke e shndërruar në podium politik për të promovuar kandidatin e tyre për kryetar komune. Ky akt jo vetëm që e dëmton festivalin, por edhe fyen publikun dhe artistët që presin art, jo propagandë,” thekson reagimi.

Në fund, Sekretariati i Kulturës i BDI-së shprehet se Tetova meriton një festival teatri të vërtetë, një hapësirë arti dhe respekti për publikun e krijuesit, e jo një skenë të shfrytëzuar për interesa politike.

 

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk