LajmeMaqedoni

KFOR: Mirëpresim respektimin e marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mirëpret respektimin nga autoritetet e Kosovës të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit.

Ky qëndrim i KFOR-it vjen pasi më 16 tetor, për disa minuta, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut. FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën.

KFOR-i tha se i pranon deklaratat e bëra nga autoritetet se njësiti i FSK-së gabimisht hyri në Mitrovicë të Veriut dhe shpejt u largua që aty.

“KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it. Ky qëndrim u rikthesua gjatë bisedës telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe komandantit të FSK-së të zhvilluar më 16 tetor. Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht kishte devijuar përkohësisht nga itinerari i tij”, tha KFOR në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

FSK-ja tha se pjesëtarë të saj me disa automjete u futën gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes. Sipas kësaj force, incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së autokolonës nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarë të FSK-së “e humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”.

Kjo ngjarje nxiti reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët e cilësuan si shkelje të marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri, teksa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se kjo ngjarje ka rritur tensionet.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk