
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare për kryetar komune në raundin e parë në zgjedhjet lokale të zhvilluara dje. Sipas të dhënave nga KSHZ-ja, në Gostivar, Valbon Limani nga AKI ka marrë 16.949 vota, Sebaedin Dauti nga VLEN 4.221, Darko Grujoski nga E Majta 2.857 dhe kandidati i pavarur, Visar Ademi ka marrë 1.409 vota. Shprehur në përqindje, Limani ka 61.39%, Dauti 15,29%, Grujoski 10,35% dhe Ademi 5,10%. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli edhe rezultatet fillestare dhe mandatet e fituara në zgjedhjet për këshilltarë këtë mëngjes. Sipas të dhënave nga KSHZ-ja, në Gostivar, lista e AKI ka fituar 12.750 vota apo 4.199 vota më pak se për kryetar komune, VLEN ka marrë 3.127 vota ose 1.094 më pak se për kryetar komune.
Lista e VMRO-DPMNE-së për këshilltarë komunal ka marrë 4.982 vota, Partia Demokratike Turke 2.665 dhe LSDM 1.169 vota. Tre parti politike që garuan për këshill, nuk kanë arritur të fitojnë asnjë mandat. Bëhet fjalë për të Majtën e cila ka marrë vetëm 586 vota për këshilltarë, ZNAM 306 vota dhe Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqëve 714 vota për Listën për Këshillin komunal. Sipas këtyre të dhënave, AKI ka fituar 12 vende për këshilltarë, VMRO-DPMNE – 5, VLEN – 3, PDT – 2 dhe LSDM një vend. Këshilli i Gostivarit kësaj here do të numërojë 23 anëtarë dhe sipas votave të fituara AKI ka shumicë e vetme si koalicion.
Emrat që do ta përbëjnë Këshillin e ri komunal të Gostivarit janë: VALDET XHAFERI (AKI) SADRI SALIU (AKI) QAMILE XHELILI (AKI) DEMIRALI SHAINI (AKI) GZIM AMZAI (AKI) XHARIJE ALILI (AKI) SABEDIN SALLAHI (AKI) NAMIK DURMISHI (AKI) ARZA NESIMI BAJRAMI (AKI) ARBENA SELMANI (AKI) SHPRESIM TAIRI (AKI) FITORE ISMANI (AKI) MARTIN ANDONOVSKI (VMRO – DPMNE) VLLADIMIR NANÇESKI (VMRO – DPMNE) DANIELLA TRPESKA (VMRO – DPMNE) BRANKO JONÇEVSKI (VMRO – DPMNE) KATERINA BOZHINOVSKA (VMRO – DPMNE) BASHKIM HASANI (VLEN) ALUSH ALILI (VLEN) EMINE SINANI (VLEN) SHERAFEDIN BEBA (PDT) ENEZ MUSLIJI (PDT) BOJAN ZAFIROSKI (LSDM).
Ndryshe, sipas Listës Zgjedhore komuna e Gostivarit numëron 82.893 votues në total, kurse të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar 25.436 qytetarë apo 32.38% e trupit votues me të drejtë vote të cilët kanë votuar në 121 vendvotime.



