GostivarLajme

Gostivari në ngjyrë rozë: Thirrje për vetëkontroll dhe kujdes ndaj shëndetit të grave

Në Gostivar u mbajt një panel-diskutim me rastin e muajit tetor – i njohur si “muaji rozë”, kushtuar ndërgjegjësimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit. Aktiviteti u organizua nga shoqata humanitare e qytetarëve “Dr. Trajçe Neshkovski”, nën moton “Kujdesemi, parandalojmë, veprojmë”. Ngjarja kishte për qëllim të përcillte mesazhin e rëndësisë së vetëkontrollit dhe kujdesit të rregullt për shëndetin, si dhe të shërbente si mbështetje morale për gratë që po përballen me këtë sëmundje. Ema Neshkovska, përfaqësuese e shoqatës “Dr. Trajçe Neshkovski”, theksoi rëndësinë e bashkimit dhe mbështetjes së ndërsjellë mes grave në këtë betejë.

“Ky panel-diskutim i është kushtuar grave luftëtare, grave që po luftojnë me kancerin e gjirit dhe atyre që e kanë fituar këtë betejë, por gjithashtu ka karakter parandalues me këshilla për të gjitha gratë dhe vajzat, të cilat fatkeqësisht janë potencialisht të rrezikuara nga kjo sëmundje e pabesë. Duam t’u japim dorën kësaj kategorie qytetaresh, t’u përcjellim mesazhin se nuk janë të vetme në betejën e tyre dhe të jemi pranë tyre që së bashku të vazhdojnë në luftën e tyre më të rëndësishme dhe më të vështirë – luftën për shëndetin”.

Rëndësinë e diagnostikimit të hershëm përmes vetëkontrollit e theksoi edhe gjinekologu, primarius doktor Aleksandar Veljanoski.

“Më lehtë është që sëmundja të zbulohet përmes vetëkontrollit – atëherë është më mirë si për pacientin ashtu edhe për sistemin shëndetësor. Nëse gruaja gjatë vetëkontrollit dyshon se diçka nuk është në rregull – nëse gjinjtë nuk janë simetrikë, thithkat janë të tërhequra, ose gjatë prekjes me gishta vëren ndonjë nyje apo masë – duhet menjëherë të paraqitet te mjeku. Pastaj mjeku do të ndërmarrë masa për diagnostikim të mëtejshëm dhe, nëse është e nevojshme, zbulimin e kancerit. Me zbulimin e hershëm e ndalojmë përparimin e sëmundjes, e shkurtojmë kohën e trajtimit dhe në fund shpëtojmë një jetë”.

Për pasojat pas ndërhyrjeve kirurgjikale të kancerit të gjirit foli fizioterapisti dhe specialisti ortoped, Sasho Cvetanoski, i cili vuri në dukje rëndësinë e terapive të rregullta pas operacioneve.

“Qëllimi ynë është të përmirësojmë qarkullimin e limfës, të hapim nyje të reja limfatike dhe që lëngu të qarkullojë sërish, me ç’rast automatikisht zvogëlohet pesha e krahut. Për ta arritur këtë nevojiten disa lloje terapie. Fillojmë me terapi aparatesh, mund të bëhet terapi manuale dhe në fund është shumë e rëndësishme të përfundohet me terapi kompresive në formë doreze ose fashimi, në mënyrë që të sigurohet funksionim normal. Efikasiteti i këtyre terapive është shumë i lartë nëse kryhen çdo ditë në mënyrë të vazhdueshme”.

Në kuadër të shënimit të muajit rozë, shoqata “Dr. Trajçe Neshkovski” ndanë 25 vauçerë nga “Medikus Help” për ndihma ortopedike, të destinuar për gratë që janë operuar nga kanceri i gjirit. Përparësi në përfitimin e këtyre vauçerëve kishin të pranishmet në ngjarje, ndërsa u theksua se, nëse paraqiten edhe gra të tjera të interesuara, shoqata do të përpiqet të sigurojë vauçerë shtesë.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk