
Gjatë këtyre zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, shfaqet një panoramë që pasqyron më shumë një vazhdimësi të rrugëtimit të vjetër, sesa një premtim për ndryshim.
U përmendën dhe u vlerësuan individë, parti, liderë e patriotë, por në të njëjtën frymë nuk munguan as kritikat, shpesh të drejtuara nga ata që vetë kanë qenë pjesë e së njëjtës histori politike.
U përmendën fajtorët dhe heronjtë e proceseve, ndërsa shumë të tjerë u lanë në heshtje ose u nënvlerësuan padrejtësisht.
U theksuan e ritheksuan dobësitë e të tjerëve, por vetëm pak prej tyre guxuan të ballafaqohen me dobësitë e veta.
Çështjet kombëtare e patriotike u përdorën, për fait të keq, më shumë si slogane për të nxitur emocionin sesa si udhërrëfyes për një të ardhme më të ndritur.
Si gjithmonë, u përmend edhe diaspora, ajo që pritet të jetë gjithnjë e pranishme, të japë kontribut, të mbrojë, të ndihmojë, por rrallëherë dikush pyet se çfarë ajo ndjen, mendon apo kërkon në këtë proces.
Në këtë rrëmujë fjalësh dhe premtimesh, shqetësimet reale të njerëzve humbasin pas perdeve të politikës së zakonshme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë të dallohen problemet që i preokupojnë vërtet qytetarët.
Është mëkat që regjistri i kritikave, fyerjeve dhe mllefeve, për të mos thënë edhe diçka më shumë, vazhdojnë të jenë protagonistët kryesorë në teatrin e politikës sonë të ashtuquajtur “moderne”.
Në fund, gjithë kjo u quajt “vazhdimësi”, një rrugëtim i përsëritur apo thjesht “premtim”, një fjalë e madhe që tingëllon bukur, por shpesh ngjan me jehonën e një shprese të hidhur.
Sepse në këtë vend, premtimet shpesh bëhen për t’u harruar, idealet përdoren për t’u justifikuar, dhe fjala “patriotizëm” përmendet, por rrallëherë ndjehet.
Shkruan: Lirim Begzati



