GostivarLajme

Aksion policor në Gostivar për heqjen e vetura të parkuara në qendër të qytetit / Bizneset lokale ankohen për humbje

Departamenti Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor në Gostivar ka filluar një aksion për pastrimin e hapësirave të komunikacionit nga veturat e keqparkuara dhe të parkuara në mënyrë të parregullt. Ky aksion po zhvillohet kryesisht në zona kyçe të qytetit, ku shpesh ndodh bllokimi i qarkullimit për shkak të automjeteve të parkuara në vende të ndaluara për ndalim apo parkim. Qëllimi i këtij aktiviteti, siç njofton policia, është të mundësohet qarkullim i lirshëm dhe pa pengesa nëpër rrugët e qytetit. Megjithatë, kjo nismë policore nuk është mirëpritur nga disa biznese lokale në Gostivar. Ata shprehen se ndalimi i parkimit para objekteve të tyre po u shkakton humbje të përditshme, pasi klientët nuk kanë ku të parkojnë. Pronari i kuzhinës popullore “Vita Abi”, Zulkadër Shabani, deklaroi se nuk është kundër policisë, pushtetit lokal apo shtetit, por theksoi se dëmi ekonomik që po u shkaktohet bizneseve është i konsiderueshëm.

Ndërkaq, zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi, tha se këto kontrolle do të jenë të intensifikuara dhe apeloi tek qytetarët, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, që të kenë kujdes se ku i parkojnë automjetet e tyre.

“Departamenti i Punëve të Brendshme në Gostivar apelon qytetarët, kryesisht drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë sinjalistikën vertikale dhe horizontale dhe të mos i parkojnë veturat vend e pa vend, por vetëm në hapësirat e caktuara dhe të shënuara për parkim. Vetëm kështu mund të kontribuojmë së bashku për rend dhe siguri më të madhe në komunikacionin rrugor, në qytet dhe më gjerë”, tha Rexhepi.

Sipas informacioneve jozyrtare, ky aksion policor ka nisur pas ankesave të disa bizneseve në Gostivar, të cilat kanë raportuar se hapësirat para objekteve të tyre po bllokohen nga automjete që qëndrojnë aty për orë të tëra. Nga ana tjetër, shoferët ankohen për mungesë vendparkimesh dhe kërkojnë që të vendosen tabela informuese në rrugët e qytetit, për të sqaruar qartë se ku lejohet dhe ku ndalohet parkimi.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk