Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe një nga drejtuesit e koalicionit VLEN, Arben Fetai, ka zhvilluar takime me strukturat e Aleancës për Shqiptarët në Gostivar dhe Vrapçisht, ku ka theksuar se mbështetja qytetare për ndryshime është më e fortë se kurrë.
Fetai tha se qëllimi i vizitave ishte falënderimi për aktivistët dhe njerëzit që, siç u shpreh ai, “mbajnë gjallë frymën e ndryshimit” në këto dy komuna.
Ai theksoi se pas fitoreve të VLEN-it në shumicën e komunave, fokusi tani është tek Gostivari dhe Vrapçishti, ku beteja politike vijon.
“Mosarritja e censusit dha një mesazh të qartë se qytetarët janë lodhur nga akrobacionet dhe lëvizjet e pafundme të Taravarit,” deklaroi Fetai.
Sipas tij, VLEN synon t’u kthejë të dy komunave drejtimin që u është mohuar për vite me radhë, duke garantuar transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi.
“Gostivari dhe Vrapçishti meritojnë më shumë. Dhe këtë herë, nuk do të presin,” shtoi Fetai.(INA)



