
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, për datën 11 janar i shpalli zgjedhjet lokale në katër komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, ku më 19 tetor, në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale, nuk pati dalje të mjaftueshme të qytetarëve në votim.
“Me hyrjen në fuqi të këtij akti, institucionet kompetente fillojnë me zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore. I drejtoj thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, komisioneve zgjedhore komunale, si dhe organizatave vëzhguese që të veprojnë me ndërgjegje, transparencë dhe profesionalizëm. I ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në këtë proces që të zhvillojnë një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe demokratik, duke respektuar standardet zgjedhore dhe vlerat evropiane. Po ashtu, u drejtohem qytetarëve të këtyre komunave që ta realizojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim. Përsëritja e zgjedhjeve e konfirmon rëndësinë e pjesëmarrjes së çdo qytetari në vendimmarrjen lokale dhe në forcimin e legjitimitetit institucional.”
Për në orën 13:00 mbledhje ka caktuar edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili duhet t’i fillojë përgatitjet për votimin e përsëritur në këto komuna.



