
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, konfirmoi sot se nuk do të ketë krijim të resoreve të reja qeveritare dhe se i njëjti funksionar do të ushtrojë paralelisht detyrën e zëvendëskryeministrit të parë dhe të ministrit, në kuadër të plotësimit të pozicioneve të lëna bosh pas largimit të Izet Mexhitit nga Qeveria.
Mexhiti, i cili ishte zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor, u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit, duke lënë të hapur këto dy poste kyçe të ekzekutivit.
Duke folur për këto ndryshime, Mickoski theksoi se nuk do të ketë zgjerim të strukturës qeveritare dhe se koalicioni VLEN do t’i ruajë portofolët aktualë.
“Nuk do të ketë resore të reja, i njëjti person do të jetë edhe zëvendëskryeministër edhe ministër për diçka. Mund të them se këtë javë do të bëhen të ditur emrat. Por ajo që është e sigurt është se partitë politike që e përbëjnë koalicionin VREDI do t’i mbajnë ato resore, ato portofolë që deri tani i kanë pasur në Qeveri. Kështu që, këtu nuk do të ketë ndryshime shtesë, nuk do të ketë sektorë shtesë. Kjo është dakorduar në kuadër të koalicionit tonë të përbashkët.”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se emrat e rinj „më pak a më shumë qarkullojnë në opinion“ dhe paralajmëroi se ato do të bëhen publikë gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, sipas informacioneve qeveritare të siguruara nga INA – Iliria News Agency, është konsoliduar tashmë formula e re kadrovike në kuadër të koalicionit:
Sipas këtyre burimeve, Bekim Sali pritet të emërohet në postin e ministrit për Integrime dhe njëkohësisht të marrë edhe detyrën e Zëvendëskryeministrit të parë, duke bashkuar kështu në një funksionar dy pozitat që më herët i mbante Izet Mexhiti. Po ashtu, Muhamet Hoxha do ta zëvendësojë Mexhitin në resorin e Ekologjisë.
Sipas burimeve qeveritare, këto lëvizje janë pjesë e marrëveshjes së brendshme politike me qëllim ruajtjen e ekuilibrave në shumicën parlamentare dhe vazhdimësinë e punës së Qeverisë pa hapur çështje të reja riformatimi në nivel resoresh. Emërimet pritet të formalizohen në ditët në vijim, pas procedurave të parapara institucionale.(INA)



