
Misioni i OSBE-së në Shkup ka prezantuar të dhënat e një hulumtimi mbi dhunën online dhe offline ndaj grave dhe vajzave të reja në jetën publike. Hulumtimi thekson se një pjesë e konsiderueshme e grave të reja ndihen të pasigurta në vendet publike për shkak të gjinisë së tyre, me cenueshmëri të formuara nga faktorët socio-ekonomikë, arsimi dhe vendi i banimit. Shqetësuese është shkalla e ulët e raportimit dhe nevoja për koordinim, akses dhe besim të përmirësuar në përgjigjet institucionale. 600 gra të reja dhe vajza shprehën përvojat e tyre me dhunën online dhe offline dhe shumë nga ato kanë pohuar se ndihen të pasigurta në hapësirat publike. Në ngjarjen e organizuar nga OSBE “Nga të dhënat deri te dialogu dhe veprimi,” Ambasadori Kilian Wahl theksoi nevojën për shndërrimin e hulumtimit në veprim.
“Kur ndodh dhuna, heshtja nuk është opsion. Ne të gjithë kemi obligimin të reagojmë dhe ta paraqesim atë. Raportimet e dhunës duhet të trajtohen si prioritet dhe institucionet janë të detyruara të veprojnë me kujdesin e duhur”, ka thënë ambasadori.
Hulumtimi tregon se çfarë është e nevojshme – protokolle të qarta të përgjigjes, veprim më i shpejtë, bashkëpunim ndërsektorial, profesionistë të trajnuar dhe parandalim i synuar, përfshirë hapësirat digjitale. Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani po ashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes sociale të koordinuar.
“Ne duhet të ndërtojmë një sistem që përgjigjet herët, në një mënyrë humane dhe të koordinuar, në mënyrë që asnjë grua të mos jetë vetëm”, ka thënë Limani.
MPSDR po përgatit një Strategji të re për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje 2026–2033, së bashku me një Plan Veprimi për 2025–2029. Përmes Grupit Kombëtar të Punës për Parandalimin e Dhunës tek të Rinjtë, Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojë të punojë me palët e interesuara kombëtare për të integruar rekomandimet e validuara në zhvillimin e politikave dhe masave praktike, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë afatgjatë dhe rezultatet e matshme.
Përmes Grupit të Punës për Parandalimin e Dhunës midis të Rinjve, OSBE thekson se është e përkushtuar për të shndërruar hulumtimin në veprime konkrete, që çdo grua e re dhe vajzë të mund të marrë pjesë në mënyrë të sigurt dhe të lirë në jetën publike.
I kryer në vitin 2025, hulumtimi bazohet në një mostër përfaqësuese prej 600 grash dhe vajzash të reja të moshës 18 deri në 29 vjeç nga të gjitha rajonet statistikore të vendit, i plotësuar nga grupe fokusi të përbëra nga përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe ekspertë. Ai ofron njohuri të hollësishme mbi perceptimet e sigurisë, modelet e raportimit, përgjigjet institucionale dhe rreziqet në zhvillim, siç është dhuna digjitale. /Koha/



