
Sipas projektligjit të Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen nga duhanpirja, qytetarët që kapen duke pirë cigare në vende ku kjo është e ndaluar do të përballen me gjoba të konsiderueshme. Nëse gjoba paguhet menjëherë, shuma është 100 euro, ndërsa nëse paguhet brenda 8 ditëve rritet nga 150 deri në 300 euro. Me vendim gjyqësor, gjoba është tri herë më e lartë.
Ligji parasheh edhe mundësinë që në vend të pagesës së gjobës, shkelësit të kryejnë punë të dobishme për komunitetin. Për personat juridikë, varësisht nga madhësia e kompanisë, gjobat variojnë nga 2000 deri në 5000 euro.
Projektligji, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 mars, ndalon përdorimin e të gjitha llojeve të cigareve, përfshirë edhe ato elektronike që përmbajnë duhan dhe nikotinë, në objektet e gastronomisë, kazinotë, bastoret sportive, institucionet shtetërore, kompanitë private, aeroportet, stacionet e autobusëve dhe hekurudhave. Ndalohet duhanpirja edhe në stacionet ku qytetarët presin autobusët, në banesa dhe hapësira të përbashkëta banimi, si dhe para institucioneve shtetërore, spitaleve, çerdheve, shkollave dhe konvikteve studentore. Po ashtu, policia ka të drejtë të gjobisë personat që pinë cigare në automjet nëse brenda ndodhet një fëmijë i mitur.



