
Ministeri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut Fatmir Limani ka realizuar një vizitë zyrtare në Rumani, ku në kuadër të agjendës së tij institucionale zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Punës, Familjes, Rinisë dhe Solidaritetit Social të Rumanisë, Petre-Florin Manole.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e thellimit të tij përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në fushat që janë në kompetencë të ministrive përkatëse. Fokus i veçantë iu kushtua shërbimeve sociale dhe kujdesit social, me synim përmirësimin e politikave dhe sigurimin e përfitimeve konkrete për qytetarët e të dyja shteteve.

Të dyja palët theksuan gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe për bashkëpunim konkret në ndërtimin e politikave sociale më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.



