LajmeRajon

Ramush Haradinaj, kandidat për president. ‘Negociata me PDK dhe LDK për të siguruar votat’

Ramush Haradinaj po punon që të jetë kandidat konsensual i partive opozitare për president të Kosovës. Kështu deklaron nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një intervistë për KosovaPress. Sipas tij, Haradinaj është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. “Kosovës i duhet një president konsensual dhe në këtë drejtim ne jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe me figurën e zotëri Haradinaj, por edhe me ndonjë marrëveshje sa i përket presidentit apo presidentes së Republikës së Kosovës. Mendoj që është koha e duhur që opozita të unifikohet dhe të vendosë për një kandidat konsensual e në këtë rast pse mos të ishte edhe zotëri Haradinaj… Çdoherë janë në komunikim, zotëri Haradinaj edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, por edhe me kryetarin e LDK-së, zotëri Abdixhiku dhe mendoj që gradualisht mund të vijnë deri në një përfundim, por ende nuk kam ndonjë informacion të saktë në këtë drejtim deri ku kanë arritur ato bisedime sa i përket presidentit të vendit” Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shfaqur ambicien për një mandat të dytë pesëvjeçar, por Lekaj deklaron se gjashtë deputetët e AAK-së nuk do e mbështesin me votë. “Po sa i përket presidentit, unë mendoj që derisa nuk ka ndonjë marrëveshje dhe derisa dominon kokëfortësia e zotit Kurti, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, atëherë janë të gjitha opsionet e mundshme. Por ende nuk kemi parë një saktësi të zotëri Kurti që a është i përcaktuar për presidente Vjosa Osmani apo për ndonjë kandidat tjetër konsensual apo për një bashkëpunim me partitë që janë në këtë rast LDK, PDK dhe AAK” Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk