LajmeMaqedoni

Përmbytje në rajonet e Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës

Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në disa komuna – Situata më e rënduar në fshatrat e Gostivarit

Reshjet e dendura  kanë shkaktuar probleme serioze në disa rajone të vendit, përfshirë Shkup, Kërçovë, Tetovë dhe Gostivar.

Në rajonin e Gostivarit, situata paraqitet më e rënduar në disa vendbanime rurale. Në fshatin Belovishtë janë raportuar përmbytje të shtëpive, ndërsa dëme materiale janë shënuar edhe në lagjet Ciglanë dhe Banjëçnicë. Probleme janë evidentuar edhe në fshatin Balindoll, ku bllokimi i kanalizimeve ka përkeqësuar gjendjen, si dhe në fshatin Forinë, ku disa shtëpi janë përfshirë nga uji. Banorët përballen me vështirësi në qarkullim dhe rrezik nga rritja e mëtejshme e nivelit të ujit.

Ekipet kompetente kanë dalë në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndërhyrë në zonat më kritike, ndërsa autoritetet lokale po monitorojnë nga afër situatën.

Ndërkohë, në rajonin e Shkupit, përmbytje janë regjistruar në fshatrat Bukoviç, Arnaqi dhe Semenisht në Komunën e Sarajit. Drejtori i Qendra për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, së bashku me kryetarin e Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, kanë inspektuar zonat e prekura dhe kanë koordinuar reagimin institucional.

Në Kërçovë, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Zajashka, janë evakuuar rreth 180 persona, ndërsa në Tetovë janë raportuar rrëshqitje dhe bllokime rrugësh si pasojë e motit të ligë.

Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare, pasi reshjet pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk