LajmeMaqedoni

Ajri ndotur, RMV mbushet me makina të vjetra

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se në vend janë importuar rreth 69.400 automjete gjithsej. Nga këto, 46.800 janë të përdorura, ndërsa vetëm rreth 13.600 të reja. Kjo do të thotë se për çdo makinë të re të importuar, në treg kanë hyrë rreth 3.5 automjete të dorës së dytë. Në të njëjtën kohë, mosha mesatare e flotës së automjeteve që qarkullon në vend ka arritur në 19.4 vjet, duke konfirmuar se brezat më të vjetër dominojnë rrugët.

Trend i ngjashëm vihet re edhe te autobusët. Vitin e kaluar janë importuar vetëm 14 autobusë të rinj, përballë 307 autobusëve të përdorur. Ndërsa segmenti i kamionëve paraqet raport më të balancuar me 4,689 automjete të reja mallrash dhe 3,931 të përdorura, struktura e përgjithshme e importit mbetet e orientuar drejt mjeteve të vjetra, kryesisht me motorë dizel dhe benzinë.

Këto shifra marrin një dimension tjetër kur vendosen përballë krizës së ajrit. Sipas të dhënave të cituara nga Partia e Gjelbër Evropiane, rreth 18 për qind e të gjitha vdekjeve vjetore në vend lidhen me ekspozimin ndaj grimcave të dëmshme në ajër.

Ndërkaq, edhe pse ndotja e ajrit është problem kompleks dhe multifaktorial, me ndikim nga ngrohja me lëndë djegëse, industria dhe deponitë ilegale, transporti rrugor mbetet një nga burimet kryesore të emetimeve në zonat urbane. Një pjesë e konsiderueshme e makinave të importuara janë automjete me standarde më të ulëta mjedisore, si Euro 3 dhe Euro 4, që prodhojnë më shumë okside azoti, monoksid karboni dhe grimca të imëta PM. Në qytete si Shkup, Tetovë dhe Manastir, përqendrimet e ndotjes gjatë muajve të dimrit shpesh tejkalojnë normat e lejuara, duke e kthyer ajrin në rrezik të përditshëm.

Në këtë kontekst, paralelisht me importin masiv të mjeteve të përdorura, Qeveria në fillim të janarit njoftoi se janë siguruar mjete për furnizimin e 150 autobusëve elektrikë për Shkupin dhe komunat. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se për këtë qëllim do të shfrytëzohet kredi me afat shlyerjeje 15-vjeçare dhe normë interesi 3.25 për qind, në kuadër të një marrëveshjeje ndërqeveritare me Hungari. Sipas njoftimit, Shkup fillimisht kishte kërkuar 250 autobusë, por në këtë fazë do të përfitojë një pjesë të tyre, së bashku me karikues, ndërsa autobusë do të ndahen edhe për komunat që kanë transport publik të organizuar.

Megjithatë, përballë 307 autobusëve të përdorur të importuar vetëm brenda një viti dhe dhjetëra mijëra makinave të vjetra që shtohen çdo vit në rrugë, 150 autobusë elektrikë, të financuar me kredi afatgjatë, duken si hap i kufizuar në raport me përmasat e problemit. Ndërkohë, edhe pse në vitin 2024 u regjistruan 1,507 automjete elektrike, me rritje 169 për qind krahasuar me një vit më parë, dhe 5,078 hibride me rritje 295 për qind, ato përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të flotës totale.

Ndër të tjera, statistikat tregojnë se Maqedonia vazhdon të importojë jo vetëm automjete, por edhe barrë mjedisore, pasi në një vend ku 18 për qind e vdekjeve lidhen me ndotjen e ajrit, çdo politikë transporti nuk është thjesht çështje infrastrukture, por çështje e drejtpërdrejtë e shëndetit publik. /Koha/

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk