
“Ka individë të caktuar në qeveri që nuk po angazhohen mjaftueshëm ose po sillen në mënyrë të papërshtatshme”. Kështu ka thënë kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar rekonsttruimin e Qeverisë që pritet të ndodhë në muajt në vijim. Ai, duke folur për funksionimin e Qeverisë, tha se ka dilema për një pjesë të funksionarëve, por edhe për individë në disa institucione qeveritare, nëse po japin maksimumin në punën e tyre.
“Unë zgjohem dhe fle me një mendim, a po japim gjithçka nga vetja, a po japin të gjithë maksimumin. Për disa individë kam dilema dhe ndaj atyre për të cilët kam dilema dhe rezerva, i paralajmëroj sepse kam ndjesinë se mund të japin më shumë – si brenda Qeverisë ashtu edhe në institucionet që janë pjesë e saj. Ne nuk kemi të drejtë për reprizë. Thjesht nuk ka më hapësirë për improvizime dhe përsëritje. Duhet të ketë rezultate dhe duhet të japim më shumë se sa mundemi për të arritur në një gjendje konsolidimi”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri nuk zbuloi nëse individët me të cilët nuk është i kënaqur janë kuadro të partisë së tij VMRO-DPMNE apo pjesë e partnerëve të koalicionit në pushtet. Mickoski theksoi se pushteti nuk premton mrekulli, por se do të japë gjithçka nga vetja për të përmbushur premtimet, edhe nëse duhet të punojë shtatë ditë në javë nga 12, 13 apo 14 orë. Ai u shpreh i pakënaqur me disa. “Kjo është mënyra se si duhet të funksionojë kjo Qeveri. Kur qytetarët të shohin se ju e lini zemrën në terren, atëherë do t’jua falin gjithçka. Por nëse shohin se silleni me arrogancë, nuk u përgjigjeni mesazheve që ju dërgojnë, sado që ato mesazhe mund t’ju shqetësojnë apo t’ju duken të pakuptimta, nëse nuk u ktheni përgjigje, nuk u kushtoni vëmendje, nuk përshëndeteni apo nuk shtrëngoni dorën në rrugë, këtë nuk do t’jua falin kurrë”, shtoi kryeministri.
Ndërkohë analistët vlerësojnë se është më se e nevojshme rekonstruimi i qeverisë, për faktin se kjo Qeveri nuk po tregon rezultate të duhura pothuajse në të gjitha sektorët, megjithëse shprehen skeptik se ky hap i kryeministrit do të bëhet në mënyrën e duhur. Analisti politik, Xhelal Neziri, shprehet pesimist se rekonstuimi i qeverisë do të prodhojë diçka pozitive. Sipas Nezirit, do të largohen ministrat të cilët nuk kanë peshë në terren, e jo ata që nuk janë treguar efikas në menaxhimin e resoreve me të cilat kanë udhëhequr.
“Ne kemi realisht mos-funksionim të shtetit, duhet të ketë një rekonstuim të tërësishëm, 90 për qind të ministrave duhet ti ndërrojë kryeministri, nëse mendon që duhet ta bëjë funksionale qeverinë, nëse e bën, që mendojë se do ta bëj për interesa të politikës ditore, ai do ti mënjanojë njerëzit të cilët nuk kanë bazë, ose të cilët kanë mbetur pa parti dhe që nuk kanë deputetë që i qëndrojnë prapa dhe unë mendojë se këtë do ta bëjë dhe ky është edhe një gabim që do ta bëjë Qeveria”, vlerëson analisti, Xhelal Neziri.
Ai shtoi se deputetët janë ata që duhet të kenë votat apo përkrahjen në terren, ndërsa ministrat duhet të zgjidhen në bazë të meritave dhe sukseseve që kanë treguar në profesionet e tyre. “Njerëzit i zgjedhin me votat e tyre deputetët dhe deputetët duhet të zgjedhin kuadro që janë të aftë, që kanë në radhë të parë suksese në profesionet e tyre paraprake dhe të drejtojnë apo përfaqësojnë partinë e tyre në ekzekutiv”, theksoi Neziri.
Ndërkohë, analisti politik, Ibrahim Mehmeti, vlerëson se rikonstruimi do të duhet të përfshijë edhe kuadrot e “dobëta” të faktorit politik shqiptarë në qeveri. Mehmeti vlerëson se edhe VLEN-i duhet të insistojë më tepër që të jetë më e zëshme në artikulimin e kërkesave të shqiptarëve në Qeveri, e jo të qëndrojë e heshtur siç po bën aktualisht. “Shpresoj që do tu rrezikohet kolltuku të gjithë atyre që nuk kanë bërë asgjë. Unë si qytetarë dua të kem përfaqësues shqiptarë që do të angazhohen për të drejtat e mia, për gjuhën, por edhe për integrimin evropian. Sepse, nuk mund të jesh aty si figurë, apo si alibi dhe të thonë të tjerët se shqiptarët po heshtin”, theksoi analisti Mehmeti.
Përndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski para dy ditësh konfirmoi se në maj ose qershor të këtij viti do të ndodhë rikonstruimi i paralajmëruar i Qeverisë. Nga ana tjetër, njëri ndër krerët e VLEN-it, Bilall Kasami, ka theksuar se me rikonstruimin e Qeverisë mund të përfshihen Fatmir Limani dhe dikush nga ASH, duke aluduar në emrin e Arben Fetait./Koha/



