
Franca dhe Bashkimi Evropian mbeten në qëndrimin se pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë përparim në negociatat për anëtarësim, ndërsa qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të kërkojë garanci dhe parashikueshmëri për procesin. Në të njëjtën kohë, burime diplomatike bëjnë të ditur se, përtej deklaratave publike, po zhvillohen bisedime për tejkalimin e ngërçit, informon PressOnline.al
Ambasadori francez, Kristof le Rigoler, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë theksoi se Korniza negociuese e vitit 2022 mbetet e pandryshuar dhe se ndryshimet kushtetuese janë pjesë e detyrimeve tashmë të dakorduara.
“Korniza negociuese është miratuar nga të gjitha shtetet anëtare dhe përbën bazën e procesit. Ndryshimet kushtetuese nuk janë çështje për rinegocim”, deklaroi ai, duke shtuar se në kushtet e vendimmarrjes unanime në Bashkimin Evropian, “garancitë janë të pamundura”. Sipas tij, më e rëndësishme është parashikueshmëria e procesit, e cila përcaktohet nga vetë korniza negociuese.
Në anën tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski mban qëndrim të kundërt, duke theksuar se vendi nuk mund të vazhdojë pa garanci të qarta, sidomos për çështje që lidhen me identitetin dhe me të drejtat e maqedonasve në Bullgari.
“Nëse duhet, do të presim edhe dekada. Por nuk do të pranojmë politika që ndikojnë në identitetin tonë pa një fund të qartë dhe të parashikueshëm të procesit”, deklaroi Mickoski, përcjell PressOnline.al



