
Për kryeministrin Edi Rama rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është i ngjashëm me përvojën e emigrantëve shqiptarë në botë. Nga Samiti i katërt i Diasporës, kreu i qeverisë i bëri ftesë diasporës shqiptare ti bashkohet projektit të madh kombëtar “Shqipëria europiane në 2030”.
“Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, por është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit. Të rilidhemi për ta parë Shqipërinë jo si një vend që diaspora e la pas, por si një vend që po bëhet shtet europian”.
Rama solli në vëmendje dy periudha të vendit, Shqipëria e të kaluarës me Shqipërinë e sotme, transformim që është bërë i mundur sipas tij edhe nga fuqia e diasporës.
“Shqipëria është në të përpjetën e fundit drejt bashkimit të shumëëndërruar me Europën”, vlerëson kryeministri, i cili vuri theksin te pesha e pakthyeshme për drejtësinë.
Edi Rama kujtoi kërkesën e diasporës për të drejtën e votës që sot është një e drejtë e ushtruar. Këtë marrëdhënie, kërkon që ta avancojnë përtej pjesëmarrjes në Samit me investime, inovacion në jetën akademike, në ndërtimin e të ardhmes.



