LajmeMaqedoni

Bekim Sali realizoi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, realizoi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Council of Europe, Alain Berset, ku u konfirmua bashkëpunimi i fuqishëm dhe i vazhdueshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Evropës në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ministri Sali përshëndeti mbylljen e dialogut post-monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në janar të vitit 2026, duke e vlerësuar atë si njohje të rëndësishme për progresin demokratik të shtetit, reformat në sundimin e ligjit dhe përkushtimin ndaj standardeve evropiane.

Në takim u theksua rëndësia e mbështetjes ekspertize nga Këshilli i Evropës në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitujve 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat fundamentale, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Sali shprehu mirënjohje për përfshirjen e Këshillit të Evropës në vlerësimin e Planit të Veprimit për të drejtat e personave që u përkasin komuniteteve, si dhe për harmonizimin me Udhërrëfyesin për Sundimin e Ligjit, të cilat përbëjnë pjesë të rëndësishme të kritereve hapëse për Klasterin “Vlerat Themelore”.

Gjatë bisedimeve u theksua edhe roli i rëndësishëm i mekanizmave të Këshillit të Evropës, përfshirë Komisionin e Venecias, GRECO, MONEYVAL, CEPEJ dhe Komitetin për Parandalimin e Torturës (CPT), të cilët kontribuojnë në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ministri Sali theksoi se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zbatimit të reformave dhe avancimit të procesit të integrimit evropian, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane dhe partnerët ndërkombëtarë.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk