
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, përmes një paraqitjeje në emisionin e djeshëm në Lajm, u ka bërë thirrje të gjithë bashkëpartiakëve që janë larguar nga Aleanca për Shqiptarët, për çfarëdo arsye, që të rikthehen në parti.
Ai theksoi se dera e Aleancës për Shqiptarët mbetet e hapur për të gjithë ata që besojnë në kauzën dhe idealin e subjektit politik, duke shtuar se vendi i tyre është në ASH.
“Le të kthehen në shtëpi të gjithë ata që mendojnë se kjo kauzë dhe ky ideal vazhdon edhe më tutje”, deklaroi Limani.
Sipas tij, pas kongresit të partisë, Aleanca për Shqiptarët do të dalë më e konsoliduar në çdo strukturë organizative dhe do të jetë një forcë fituese në zgjedhjet e ardhshme.
Limani vlerësoi se uniteti dhe bashkimi i të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve do të jenë kyç për forcimin e subjektit politik dhe përballjen me sfidat politike në periudhën që vjen.



